Pas takimit të 10-të të Komitetit të përbashkët Parlamentar për Marrëveshjen e Stabilizim Asocimit, kryeministri Kurti u prit nga kryesuesi i grupit parlamentar ‘’Renew Europe’’, eurodeputeti Stephane Sejourne, i shoqëruar nga kolegët e tij Ilhan Kyuchyuk, Dragos Tudorache dhe Klemen Groselj.
“Kryeministri Kurti i falënderoi eurodeputetët dhe grupin e tyre parlamentar për pozicionimin dhe qëndrimin e tyre pozitiv për liberalizimin e vizave për Kosovën, proces i cili presim që së shpejti të finalizohet suksesshëm. Palët diskutuan dhe mbi rrugëtimin drejt Bashkimit Evropian të Republikës së Kosovës dhe aplikimeve për anëtarësim në BE dhe Këshillin e Evropës”, thuhet në njoftimin e Zyrës së Kryeministrit.
Më tej, Kryeministrit Kurti i njoftoi reformat e deritanishme dhe rezultatet e arritura përgjatë dy viteve të fundit.
“Vendi ynë vazhdon të shënojë përmirësim në indikatorë ekonomikë e demokratikë, të cilët janë përkthyer në renditjen e Kosovës në mesin e vendeve me përparimin më të lartë të demokracisë në rajon e më gjerë. Sundimi dhe zbatimi i ligjit, luftimi i krimit të organizuar dhe korrupsionit po kontribuojnë në konsolidimin e shtetit të së drejtës, si bazament i drejtësisë, demokracisë e zhvillimit. Takimi u përmbyll duke biseduar mbi procesin e dialogut, propozimin Evropian për normalizim të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe për takimin e 18 marsit”, ka thënë Kurti.