Qëndrimin dyditor në Strasburg të Francës, Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e filloi me takimin me eurodeputetë të Grupit të Partisë Popullore Evropiane (EPP) në Parlamentin Evropian, Lukas Mandl nga Austria, Michael Gahler, Rainer Wieland dhe Niklas Herbst nga Gjermania, Karlo Ressler nga Kroacia, Franc Bogovic nga Sllovenia, Vladimir Bilcik nga Sllovakia.
EPP përbën grupin më të madh politik në Parlamentin Evropian.
Bashkë me ambasadorin e Kosovës në Bruksel, Agron Bajrami, kryeministri Kurti i njoftoi deputetët evropianë për zhvillimet e fundit në vend, arritjet e qeverisë, sukseset në sundimin e ligjit dhe luftimin e korrupsionit dhe për përmirësimet demokraci dhe ekonomi, të evidentuara edhe në raportet ndërkombëtare.
Në komunikatën për media, thuhet se në takim gjithashtu u diskutua edhe për aplikimin e Kosovës në Bashkimin Evropian, në dhjetor të vitit të kaluar, dhe për aplikimin në Këshillin e Evropës, në maj të vitit të kaluar, dy organizata këto me të cilat shteti dhe populli i Kosovës ndajnë synime, vlera dhe bindje të përbashkëta, përcjell arbresh.info.
Kurti theksoi rëndësinë e përkrahjes së Parlamentit Evropian në trajtimin sa më të shpejtë të aplikimeve të Kosovës dhe mbështetjes përgjatë gjithë rrugëtimit integrues.
U folë edhe për takimin e 18 marsit në Ohër, mundësitë që paraqet dhe pritjet nga ai takim.
Eurodeputetët dhanë vlerësimin e tyre pozitiv dhe shprehen mbështetjen e plotë ndaj reformave të qeverisë, përparimit demokratik, sundimit të ligjit dhe luftës kundër korrupsionit.
Kryeministri Kurti po qëndron në Strasburg për të marrë pjesë në takimin e 10-të të Komitetit Parlamentar për marrëveshjen e Stabilizim-Asocimit me BE-në.
Të pranishëm në këtë takim ishin edhe deputetë të Grupit Parlamentar të VV-së, Mimoza Kusari Lila, Fitore Pacolli Dalipi, Jeta Statovci, dhe Armend Muja.