Përleshjet mes të burgosurve në qendrat korrektuese në vendin tonë nuk janë edhe aq të rralla. Raste të tilla e incidente të tjera, siç është ikja e të dënuarve janë goxha të shpeshta dhe po ndodhin pikërisht në kohën kur ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu po krekoset se po udhëheq suksesshëm me ministrinë dhe ka rritur nivelin e sigurisë në burgje.
Sinjali ka raportuar së fundmi për plot ngjarje të tilla, sidomos në Burgun e Dubravës. Rrahjet në këtë qendër janë shpeshtuar ditët e fundit dhe rasti i fundit ka ndodhur gjatë ditës së djeshme.
Sipas informacioneve të para, të burgosurit D.K., dhe U.A., kanë sulmuar fizikisht njëri-tjetrin pas një mosmarrëveshje momentale që patën mes vete, ku për pasojë njëri prej tyre pësoi lëndime trupore.
Si masë parandaluese që të mos eskalohet situata, oficerët kanë ndërhyrë, ndërsa i burgosuri që u sulmua ka marrë trajtim mjekësor, teksa është njoftuar edhe Prokurori i Shtetit, që ka urdhëruar inicimin e rastit si “Lëndim i lehtë trupor’.