Partitë opozitare, Partia Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës kanë nisur një barg kritikash në drejtim të Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe qeverisjes së tij tash e dy vite, shkruan Gazeta online Reporteri.net.
Sipas tyre, Kosova ka pësuar regres në të gjitha aspektet në këto dy vite qeverisje të VV-së.
Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri mesditen e së martës tha se Kryeministri Kurti i ka sjellur Kosovës në tavolinë një marrëveshje të dëmshme.
Madje sipas Tahirit Kurti është komplet jotransparent, ndërsa marrëveshja që kryeministri ka sjell, siç thotë ai është e pamjaftueshme për vendin.
“Partia Demokratike e Kosovës ka qëndrim të qartë sa i përket kësaj marrëveshje, Lajçak nuk ka thënë asgjë më shumë më zyret e Partisë Demokratike, pos asaj që ka thënë në media dhe ne kemi qëndrim të qartë, konsiderojmë që Albin Kurti i ka sjellë Kosovës, pas dy viteve negociata, pas dy viteve dialog, komplet jotransparent, i ka sjellë Kosovë në tavolinë një marrëveshje jashtëzakonisht të dëmshme, të pamjaftueshme për ambiciet tona”, u shpreh tutje ai.
Tutje, ai e quajti të tmerrshëm propozimin e Lëvizjes Vetëvendosje, për formimin e një Komisioni Hetimor për dhunën në familje dhe vrasjen e tyre.
Në anën tjetër, Shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri tha se në këto dy vite qeverisje, Kosova nuk pati asnjë njohje, e as një veprim që e forcon shtetësinë saj, dhe sipas tij Kosova ka pësuar regres në të gjitha aspektet.
“Për këto dy vite Kosova në të gjitha aspektet ka pësuar regres. Për ne është e papranueshme që ekonomia dhe sektori privat e veçanërisht për punëtorët në sektorin privat e publik, realisht janë kthyer në raste sociale. Në rrafshin ndërkombëtar ka regres, nuk ka asnjë njohje, nuk ka asnjë veprim që e forcon shtetësinë e Kosovës. Partitë politike komunikojnë përmes Kuvendit. Kemi kundërshtuar fuqishëm ngritjen e tarifave të energjisë. Kjo rritje jo vetëm që është e panatyrshme se në njërën anë shteti po subvencionon energjinë e në anën tjetër po e shtrenjton energjinë. Na jemi kundër, do të jemi kundër dhe do të bëjmë gjithçka që është e mundur që të ndalojmë këtë rritje të energjisë”, tha Tahiri sot.