“Everything Everywhere All at Once” ka triumfuar si filmi më i mirë në ceremoninë e 95-të të ndarjes së çmimeve “Oscar”, e cila u mbajt në teatrin “Dolby” në Los Angeles.
Ky film kryesoi këtë vit, duke marrë 7 çmime nga 11 nominime, përfshirë dy çmimet më të rëndësishme: “Best Picture” dhe “Best Director”. Subjekti flet për një grua kinezo-amerikane, emigrante, e cila zbulon se mund të depërtojë në universe paralele, për të parandaluar një qenie të fuqishme, e cila do të shkatërrojë universin. Filmi ka elementë të komedisë surreale, shkencës, fantazisë, arteve marciale dhe animim.
Michelle Yeoh, e cila ishte personazhi kryesor, u shpall aktorja më e mirë, duke u bërë kështu gruaja e parë aziatike në histori, që e fitoi këtë çmim.
“Për të gjithë djemtë dhe vajzat e vogla, ky është një fener shprese dhe mundësish. Dhe zonja, mos lejoni askënd që t’ju thotë se keni kaluar ndonjëherë në kulmin tuaj”- u shpreh ajo teksa mori trofeun në dorë.
Po ashtu, Jamie Lee Curtis dhe Ke Huy Quan fituan në kategoritë e aktorit dhe aktores më të mirë në rol dytësor.
Ndërkohë filmi “All Quiet on the Western Front” fitoi çmimin e filmit më të mirë ndërkombëtar, i cili ishte dhe produkti i parë në gjuhën gjermane i nominuar në këtë kategori. Ky produksion, që rrëmbeu edhe tri çmime të tjera, trajton pasojat e rënda të luftës më 1914, nga sytë e një të riu. Ndërkohë, dokumentari më i mirë u shpall “Navalny”, kushtuar liderit të opozitës ruse.
Ceremonia e 95-të e ndarjes së këtyre çmimeve, u moderua nga komediani, Jimmy Kimmel.