Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e ka përkujtuar kryeministrin e vrarë serb Zoran Gjingjiq në 20-vjetorin e vrasjes së tij, ditë më parë ai kishte përkujtuar edhe politikanin serb, Oliver Ivanoviq në pesë vjetorin e vdekjes së tij.
Sekretari i Partisë Demokratike të Kosovës, Betim Gjoshi ka reaguar duke thënë se përkujtime e tilla janë dëshmi e qartë se Kurti ka filluar ta zbatojë planin franko-gjerman për tejkalimin e së kaluarës.
Sipas tij, Kurti çdo ditë po i falë krimet dhe kriminelët serbë.
“Përkujtimet me shumë dhimbje e lavdërime për Oliver Ivanoviqin dhe Zoran Gjingjiqin, janë dëshmi e qartë se Albin Kurti ka filluar ta zbatojë planin franko-gjerman për tejkalimin e së kaluarës. Çdo ditë, Albin Kurti po i falë krimet dhe kriminelët serbë. Kjo është e rrezikshme për historinë shqiptare. Ky është sulm direkt mbi të vërtetën historike të kombit tonë.” – ka shkruar Gjoshi në Facebook.