Shtëpia e Bardhë ka thënë se Rusia është në përpjekje për të destabilizuar qeverinë e Moldavisë, në mënyrë që ta zëvendësojë atë me një udhëheqje më miqësore ndaj Moskës.
Zëdhënësi i Këshillit të Sigurisë Kombëtare John Kirby ka thënë se ShBA beson se Rusia “po ndjek opsione për të dobësuar qeverinë moldave, për ta parandaluar atë nga integrimi me Evropën dhe me qëllimin përfundimtar për të parë një administratë më miqësore me Rusinë në kryeqytet”.
Sipas The Independent, Kirby më tej ka thënë se “aktorët rusë me lidhje me shërbimet e inteligjencës së Moskës” janë duke kërkuar të organizojnë dhe të përdorin protesta në Moldavi si bazë për të nxitur një “kryengritje” të prodhuar kundër qeverisë moldave.
“Në vitet e kaluara ne e kemi parë Rusinë të përpiqet dhe të dështojë të destabilizojë vendet e tjera evropiane,”- ka vazhduar Kirby, duke vënë në dukje se një përpjekje e tillë është bërë edhe në Mal të Zi në vitin 2016.
“Ndërsa aktivitetet e grupeve ruse që përpiqen të synojnë Moldavinë janë shqetësuese, nuk duhet të mbivlerësojmë aftësitë e tyre. Dua të theksoj se qeveria moldave është elastike dhe punon në mënyrë efektive për t’iu kundërvënë këtyre kërcënimeve,”- ka shtuar ai.
Si përfundim, Kirby ka informuar se detajet e ndara për këtë çështje ishin produkt i inteligjencës së deklasifikuar së fundmi dhe se ShBA-ja e ka ndarë informacionin edhe me autoritetet moldave “në mënyrë që ata të mund të hetojnë më tej dhe të prishin planet ruse. “.