Akuza të rënda kanë ardhur në drejtim të klubit të njohur futbollistik, Barcelonës.
Barcelona është akuzuar për korrupsion lidhur me pagesat që klubi i ka bërë Jose Maria Enriquez Negreira-s, ish-zëvendëspresident i komitetit të arbitrave të Spanjës, raporton BBC, transmeton KK
Muajin e kaluar doli se Barça i ka paguar Negreiras dhe një kompanie që ai zotëron një total prej 8.4 milionë euro midis viteve 2001 dhe 2018.
Një gjykatë e Barcelonës dëgjoi të premten se Barça, ish-zyrtarët e klubit dhe Negreira ishin paditur për “korrupsion”, “shkelje të besimit” dhe “rekorde të rreme biznesi”.
Këto padi, të ngritura nga prokuroria publike e Barcelonës, synojnë klubin, si dhe ish-presidentët Josep Maria Bartomeu dhe Sandro Rosell.
“FC Barcelona bëri dhe mbajti një marrëveshje verbale rreptësisht konfidenciale me Jose Maria Enriquez Negreira-n, në mënyrë që në cilësinë e nënkryetarit të komitetit teknik të arbitrazhit (CTA) dhe në këmbim të parave, ky i fundit të kryejë veprime që synojnë përfitimin e FC Barcelonës në vendimet e gjyqtarëve”, tha prokuroria publike.
Shefi ekzekutiv i La Ligës, Javier Tebas, tha muajin e kaluar se presidenti aktual Joan Laporta duhet të japë dorëheqjen nëse nuk do jetë në gjendje t’i shpjegojë pagesat.
Laporta u përgjigj duke thënë se nuk do t’i japë Tebas “atë që do të donte duke u larguar” dhe akuzat vijnë tre ditë pasi Laporta këmbënguli se klubi i tij “nuk kishte blerë kurrë gjyqtarë”.
“Le të jetë e qartë që Barça nuk ka blerë kurrë gjyqtarë dhe Barça nuk ka pasur kurrë qëllim të blejë arbitra, absolutisht kurrë”, tha ai të martën.