Ermal Krasniqi e ka përshkruar Kosovën si një shtet të vjetër shqiptar, shumetnik dhe me tolerancë të madhe fetare, kur është pyetur nga tifozët rumunë, shtetit që nuk pranon ta njohë pavarësinë e saj, kur është pyetur për veçoritë e atdheut të vet.
Rumania është në mesin e pak vendeve evropiane që nuk e njohin pavarësinë e Kosovës.
Krasniqi, i lindur në një fshat të Malishevës, luan në Rumani për klubin më të madh të këtij vend, Cluj, që prej janarit.
I pyetur nga një tifoz rumun ta përshkruajë Kosovën, Krasniqi tha për faqen e klubit: “Kosova është një vend i vjetër me kombësi shqiptare, multietnike dhe me tolerancë të madhe fetare më 17 shkurt 2008 e ka fituar pavarësinë, ka kulturë të veçantë me ushqime dhe muzikë tradicionale.”
Cluj e bleu Krasniqin për rreth 300 mijë euro nga kampioni i Kosovës Ballkani në afatin kalimtar dimëror dhe është duke gëzuar formë jetësore në Superligës rumune që prej atëherë.
“Të gjithë më kanë pritur mirë këtu dhe ndihme si në shtëpi. Të luash për kampionin e Rumanisë është ndjenjë shumë e mirë”, theksoi Krasniqi.
24-vjeçari, i cili i ka shënuar tri gola në tetë paraqitjet e para në Superligë për Cluj, thotë se po e pret thirrjen e Kosovës për ndeshjet kualifikues për Kampionatin Evropian 2024 në fund të këtij muaji.
Ndër kundërshtarët e Kosovës në Grupin I kualifikues për Kampionatin Evropian të vitit të ardhshëm është pikërisht Rumania, përveç Zvicrës, Izraelit, Andorrës dhe Bjellorusisë.
Kur u hodh shorti për kualifikime në fund të vitit të kaluar, në Rumani pati thirrje që ndeshja kundër Kosovës të bojkotohej.
Ish-ministri i Jashtëm i Rumanisë, Theodor Melescanu, e këshilloi kombëtaren e vet të mos luante fare kundër Kosovës, pavarësisht se kjo do t’i kushtonte me humbje zyrtare prej 3:0.
“Kosovën nuk e njohin një numër shtetesh, përfshirë ne, Rumania. Ne nuk e kemi njohur kurrë pavarësinë e Kosovës. Ne duhet ta gjejmë një zgjidhje. Nëse jo, ajo çfarë duhet të bëjmë është të humbim 3:0 me Kosovën”, kishte thënë Melescanu.
Kosova do t’i ketë dy përballje me Rumaninë, në qershor në Prishtinë, dhe në shtator në Bukuresht.
Nëse nuk pranon të luajë, përveç se do t’i humbte ndeshjet me rezultat zyrtar 3:0, ajo do të rrezikonte seriozisht edhe përjashtimin nga kualifikimet.
Neni 30 i rregullores së garave i UEFA-s thekson: “Nëse një Federatë refuzon të luajë apo është përgjegjëse për mos zhvillimin e një ndeshjeje apo mos zhvillimin e saj plotësisht, atëherë Komiteti i UEFA-s për Etikë, Kontroll dhe Disiplinë mund të ndërmarrë masa shtesë disiplinore të cilat vlerësohen si të përshtatshme për federatën në fjalë, përfshirë diskualifikimin nga gara”.