Ish-gjenerali i UÇK-së Jakup Nura, sonte ka treguar për herë të parë për historinë e fotografisë së ish-drejtorit politik të UÇK-së, Hashim Thaçi, me komandantin legjendar, Adem Jashari.
Nura zbuloi se vetë ai e kishte shkrepur fotografinë, që është bërë në shkallët e shtëpisë së një oficeri në Tiranë.
“Foton ku është Ademi me Hashimin e kam shkrepur unë. E kam dëgjuar që kanë thënë se është fallc, por nuk është. E kam bërë unë. I ka gjymtyrët e gjatë. Unë i kam fotografuar atë foto Thaçit, se ai nuk e ka pasur. Në dhomë ku kemi banuar unë e Ademi e kemi bërë”, tha ai në T7.
“Është ruajtur ajo foto, e pastaj ua kemi dhënë. Çdo herë dikush del e thotë se nuk është. Por në dhomën ku kemi banuar unë e Ademi pas një katër muajve, bile këtu është në krevatin e Ademit. Gjithmonë është dikush që kundërshton. Filloi si kundërshti politike. Por faktet nuk mund t’i kundërshtojë askush”, shtoi ai, ndërsa u shpreh se “kapelat kanë qenë të Ushtrisë Shqiptare”.