Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës së Kosovës (SBAShK) ka uruar festat e marsit përmes një komunikate për medie.
Ata thanë se çdo fillim të muajit mars qytetarët kujtojnë Prekazin e historisë dhe shprehet respekt për dëshmorët e kombit.
“Në fillimet e çdo marsi qytetarët e Kosovës dhe nga vise të tjera shqiptare shkojnë në Prekazin e
historisë dhe lartësojnë kujtimin për komandantin Adem Jashari dhe heronjtë dhe dëshmorët e
tjerë të kombit, që me gjakun e tyre i vunë themelet e lirisë së Kosovës. Ne të gjithë duke thënë
vargjet nga kënga “Sërish vjen marsi” shprehim respekt për dëshmorët e heronjtë e kombit, por
edhe për heronjtë e gjallë kudo janë ata”, thuhej në komunikatë.
SBAShK uroi edhe mësimdhënësit e arsimit ku thuhej se me 7 mars do të zhvillojnë aktivitete të ndryshme nëpër komuna si shenjë respekti për punën e tyre.
Më 7 mars kudo në institucione arsimore me programe artistike lartësojmë kujtimin dhe shprehim krenarinë e falënderimet për ata që bënë sakrifica sublime në misionin e shenjtë të arsimimit e edukimit të
brezave. SBASHK nëpër komuna zhvillon aktivitete të shumta dhe në shenjë respekti për angazhimet nëpër vite e dekada ndanë mirënjohje për koleget dhe kolegët e pensionuar. Kjo datë e madhe e arsimit tonë na obligon që në shenjë respekti për pishtarët e dijes të vazhdojmë me misionin e shenjtë të edukimit e arsimimit të brezave. Na obligon të vazhdojmë rrugëtimin bashkë e në SBASHK sepse unik e të bashkuar shumë më lehtë do të përballemi me sfidat e kohës.
Urime festa e madhe e mësuesit dhe shkollës shqipe.”, thuhej tutje.