Në 25 vjetorin e Epopesë së UÇK-së, Filatelia e Postës së Kosovës, në shenjë nderimi ka vënë në qarkullim postar emisionin e ri të pullave postare me titull “25-vjetori i Epopesë së UÇK-së”.
Emisioni i pullave postare përbëhet nga një pullë postare me nominale €2.10, të shtypur në suvenir tabak të dizajnuar, Zarf të Ditës së Parë dhe Vulë të Ditës së Parë, me qarkullim deri në konsum të plotë.
“Filatelia e Postës së Kosovës, në shenjë nderimi të figurave të ndritura nga historia moderne e Republikës së Kosovës, komandantit legjendar Adem Jashari, familjes Jashari dhe të gjithë të rënëve të tjerë për liri, më 5 mars 2023 vë në qarkullim postar emisionin e ri të pullave postare me titull “25-vjetori i Epopesë së UÇK-së
Motivi i pullës postare që mban portretin e Shabanit, Ademit dhe Hamzë Jasharit, në sfond ka shqiponjën dykrenore, që në mënyrë artistike shndërrohet në numrin e përvjetorit të rënies heroike dhe sakrificës së jashtëzakonshme të familjes Jashari. Ky motiv njëkohësisht paraqet edhe shenjën mbrojtëse të të gjitha aktiviteteve të parapara në kuadër të manifestimit të organizuar nga Qeveria e Republikës së Kosovës.”, thuhet në njoftim.