Miroslav Lajçak, është shprehur se në tavolinë ka 16 modele evropiane ekzistuese dhe funksionale që do të merren si shembuj për zbatimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.
Lajçak tha se Asociacioni është ratifikuar nga parlamenti i Kosovës që sipas tij tashmë është një marrëveshje ndërkombëtare ligjërisht e obligueshme, teksa vendimi i Gjykatës Kushtetuese për këtë çështje duhet respektuar.
“Bashkë me ekipin tim jemi duke shikuar për modelet ekzistuese dhe mund të them se në tavolinë i kam 16 modele ekzistuese dhe funksionale. Nuk duam të krijojmë diçka që do ta bënte sistemin e Kosovës më pak funksional dhe nuk duam të krijojmë diçka që nuk është krijuar kurrë ose testuar në vendet evropiane”, është shprehur Lajçak për “Atlantic Council”.
Ai foli edhe për pretendimet e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, i cili dje tha se Serbia e ka shkelur nenin 4 të marrëveshjes së arritur më 27 shkurt, ku tha se “presidenti i Serbisë u zotua mbrëmë se do të kundërshtojë anëtarësimin e Kosovës në OKB”.
Në lidhje me këtë, Lajçak tha se nuk do që ta komentoj por se i kanë kërkuar të dy liderëve, Kurtit e Vuçiqit, që të jenë të kujdesshëm sepse sipas tij i ndjeshëm dhe duan që të sigurohen që atmosfera para takimit të 18 marsit të jetë konstruktive.
“Nuk dua ta komentoj këtë sepse nuk është në përgjegjësinë time se çfarë liderët kanë thënë pas takimit. Por, përgjegjësia ime është për t’u përgatitur për takimin e radhës më 18 mars”.