Ata që ditë e natë e mbikqyrin sigurinë në vend, pra policët kosovar, nuk i kanë marrë pagat me rritje as pas kalimit të Ligjit për Paga.
Pagat e muajit shkurt për Policinë e Kosovës kanë dalë pa shtesën e rrezikshmërisë, të cilën ata e kanë marrë që nga themelimi.
E ky veperim i Qeverisë ka shkaktuar pakënaqësi dhe mllef te shumica e pjesëtarëve.
Kryetari i Sindikatës së Policisë së Kosovës, Imer Zeqiri po thotë se “më shumë se 90 për qind” e policëve janë të pakënaqur me pagën e muajit shkurt. Sipas tij, vetëm një pjesë e vogël ka një ngritje të vogël të pagës, nga 20 deri në 90 euro, që ka ardhur kryesisht nga përvoja e punës së personit.
“Mund të them me plot përgjegjësi që kemi te një pjesë një ngritje të lehtë të pagës, krahasuar me pagën e janarit e që kjo vlerë e ngritjes është kryesisht nga përvoja e punës së personit. Përndryshe e them se me të gjithë ata që kam kontaktuar, më shumë se 90 për qind janë të pakënaqur me pagën e muajit shkurt. Rritja që e përmenda është nga 20 deri 90 euro, aty dikund”, u shpreh kryetari i Sindikatës së PK-së për Ekonomia Online.
Edhe pse kanë qenë pjesë e draftimit të Ligjit, Zeqiri thotë se nuk janë marrë për bazë kërkesat e tyre.