Përdorimi i drogës është bërë një dukuri që po vazhdon të rritet dita ditës në Kosovë, pasi pothuajse çdo ditë raportohet për raste kur të rinjtë kapen duke bërë shitblerje ose duke konsumuar substanca narkotike.
Raste të tilla zakonisht zbulohen gjatë patrullimit të njësive policore, të cilët ndalin qytetarët për kontroll, apo aksioneve të ndryshme të Policisë.
E kështu nuk ndodhi dje në Shtime, ku një qytetar ka hasur në substancë të dyshuar narkotike të llojit kokainë në afërsi të shtëpisë së tij.
Burimet e Gazetës Sinjali kanë bërë me dije se ankuesi kishte gjetur drogën të paketuar në 11 qese najloni dhe ato ishin në depon e tij që ndodhet mbrapa shtëpisë së tij dhe si rrjedhojë menjëherë ka njoftuar Policinë lidhur me rastin.
Policia ka dalë në vendin e ngjarjes, ku ka gjetur dhe sekuestruar 11 qese me kokainën dhe një peshore dixhitale që shërben për matjen e narkotikëve.
Momentalisht nuk ka persona të dyshuar, pasi nuk dihet se kush e ka lënë drogën aty, mirëpo janë marrë të gjitha veprimet hetimore që ndihmojnë në zbardhjen e rrethanave të rastit.
Me urdhër të prokurorit, rasti është cilësuar ‘Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge’.