Qytetarët në Prishtinë nuk presin rezultate konkrete në takimin e sotëm ndërmjet krzeministrit Albin Kurti dhe presidentit serb, Aleksandër Vuciq. Sipas tyre, takime të tilla kanë ndodhur për 20 vite rresht, raporton Ekonomia Online.
Rezultate të mira nga ky takim, pret analisti politik Rron Gjinovci. Ai thotë se marrëveshja që do ta nënshkruajë Kurti, do të jetë “më e mira e mundshme”.
“Qysh do që vendos kryeministri ka me qenë marrëveshja ma e mirë e mundur”, u shpreh shkurt ai.
Njëjtë mendon edhe Dibran Hoxha. Ai thotë se indikacionet kanë qenë që kjo marrëveshje do të nënshkruhet shumë shpejt.
“Mendoj që indikacionet kanë qenë prej fillimit që marrëveshja do të nënshkruhet, meqë u përmendën sanksionet tash për tash të shohim çfarë përmbajtje finale ka marrëveshja”, u shpreh Hoxha.
E Shefki Mulolli nuk pret diçka nga ky takim. Ai e quan frikacak kryeministrin Albin Kurti.
“Nuk i besoj asnjërit as Serbisë po as edhe këtij tonit, asgjë ky nuk do të bëjë, se ky është frikacak. Veç badihava që 20 vjet e quan e asgjë s’kanë bërë”, tha ai.
Ndërsa Gani Mehmetaj, tha se takime të tilla ka pasur për 20 vite, andaj nuk pret shumë rezultate konkrete. Ai tha se krerët në Serbi nuk janë të interesuar që kjo marrëveshje të përfundojë.
“Është krejt e natyrshme qe do të takohen po a do të kenë rezultate vështirë të parashikohen. Këto takime mbahen qe 10-20 vjet dhe s’ka pas asnjë rezultat, nuk do të befasohemi nëse s’do të ketë rezultat as tash. Shihet se Serbia e Vuçiqi nuk janë të gatshëm të bisedojnë edhe vetë fakti që ata i zvarrisin kaq shumë vjet nuk duhet të presim shumë”, tha ai.
E Adile Preniqi, shpreson që kryeministri Albin Kurti nuk do ta pranojë Asociacionin e Komunave me shumicë serbe.