Me anë të dy shkresave, drejtuar trupit gjykues, Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS), ka kërkuar që t’i vazhdohet masa e paraburgimit Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit.
Në këto shkresa thuhet se gjyqtari i procedurës paraprake dhe Gjykata e Apelit kanë konstatuar në mënyrë të përsëritur se paraburgimi i tyre është i arsyetuar në baza të shumta, se asnjë kusht tjetër përveç paraburgimit në objektet e paraburgimit të Dhomës së Specializuar të Kosovës nuk do të ishte i mjaftueshëm për të minimizuar rreziqet, dhe se periudha e paraburgimit – duke marrë parasysh të gjitha rrethanat përkatëse – është e arsyeshme.
Sipas prokurorisë, që nga përcaktimi më i fundit i këtij Paneli më 17 janar 2023, nuk ka pasur asnjë ndryshim në rrethanat që meritojnë të devijojnë nga ai përcaktim.
Tutje, thuhet se në të vërtetë, transferimi i lëndës në Panel, caktimi i datës së gjykimit dhe zhvillime të tjera të rëndësishme që tregojnë progres të qëndrueshëm dhe do t’i japin atyre qasje të mëtejshme në informacione në lidhje me dëshmitarët e ndjeshëm dhe rastin kundër tyre, mbështesin domosdoshmërinë dhe arsyeshmërinë e paraburgimit.
Ndryshe, Zyra e Prokurorit të Specializuar, më 30 shtator 2022 ka dorëzuar aktakuzën e konfirmuar të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, e cila përbëhet nga dhjetë pika me akuza, ku këta të fundit ngarkohen për krime lufte e krime kundër njerëzimit.
Më 29 prill 2022, Zyra e Prokurorit të Specializuar kishte dorëzuar një aktakuzë të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit, ku pretendohet se katër të akuzuarit kanë kryer krime lufte edhe në Gjilan, Budakovë e Semetishtë.
Më 9 nëntor të vitit 2020, në paraqitjet e tyre të para, Jakup Krasniqi e Hashim Thaçi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që u vihen në barrë. Njëjtë është deklaruar edhe Veseli në paraqitjen e tij më 10 nëntor, sikurse edhe Rexhep Selimi më 11 nëntor.
Aktakuza ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit është konfirmuar më 26 tetor 2020, raporton Betimi për Drejtësi.