I Dërguari i Posaçëm i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, ka folur lidhur me normalizmin e marrëdhënieve mes Kosovës e Serbisë dhe për ndikimin e planit evropian për stabilitetin në rajon, raporton Gazeta Sinjali.
Në një intervistë për agjencinë e lajmeve malazeze Mina News, Escobar ka thënë se normalizimi i marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë mbetet kyq për stabilitetin rajonal.
“Normalizimi i marrëdhënieve ndërmjet Serbisë dhe Kosovës, përmes dialogut të ndërmjetësuar nga BE, mbetet kyç për stabilitetin rajonal dhe atë evropian”, ka thënë ai.
Zëvendës-Ndihmës Sekretari amerikan i Shtetit shtoi se normalizimi i marrëdhënieve do të hap dyert për integrimin politik dhe ekonomik të Kosovë dhe Serbisë në Evropë dhe do të kontribuojë për stabilitet dhe prosperitet më të madh në të gjithë Ballkanin Perëndimor.
Kryeministri i Kosovës Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq do të kenë një takim të nivelit të lartë politik në Bruksel më 27 shkurt. Në fokus të takimit do të jetë propozimi franko-gjerman për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Siç njoftohet Borrell bashkë me ndërmjetësin evropian, Miroslav Laçak fillimisht do të zhvillojnë takime të veçanta me liderët, pasuar nga një takim i përbashkët.
Borrell ka thënë se shpreson që të dy palët të jenë në gjendje ta pranojnë këtë propozim si rrugë për t’i normalizuar marrëdhëniet mes tyre.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti gjatë ditës së djeshme ka thënë se nga ky takim presin të ketë diskutime të mëtutjeshme edhe të ecin mbi bazën e propozimit evropian.
Duke folur për çështjen e Asociacionit, kryeministri tha shpreson që diskutimet të jenë të fokusuara tek nisa franko-gjermane, dhe jo tek “interesat e njërës palë”.
“Në kemi propozimin me iniciativën franko gjermane. Ne presim që të ketë diskutime dhe të ecim përpara në bazën e atij diskutimi. Jo pak varet nga fascilituesit apo ndërmjetësuesit pas ditës së hënë e dimë”- ka thënë Kurti.