Prishtinë-Gjykata e Apelit, ka kthyer në rivendosje rastin ku po kërkohej masa e sigurisë për pronën kontestuese rreth tre hektarë në Veternik. Pronë kjo, për të cilën Ylber Hyseni dyshohet se e kishte fituar përmes legalizim të përmbajtjes së rreme dhe mashtrimit.
Apeli ka arsyetuar se vendimi i Gjykatës së shkallës së parë nuk është i drejtë, pasi gabimisht janë aplikuar dispozitat ligjore ne rastin e refuzimit të kërkesës për urdhrin e masës së sigurisë, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Gjykata e Apelit ka vlerësuar se provat materiale si dokumenti “Resenje Broj” i vitit 1961 i cili dyshohet se është i falsifikuar, konkretisht nënshkrimi i dhënë në atë dokument nuk është i Milorad Filipoviq, përmes të cilit dokument tashme e ndjera Z.H, nëna e Ylber Hysenaj kishte fituar të drejtën e kësaj prone.
“Si dhe vula në dokumentin “Resenje”… nuk i përket vulës se institucionit i cili kinse e ka lëshuar këtë dokument”, thuhet tutje në arsyetimin e gjykatës. Falsifikimin e këtij dokumenti e ka konstatuar eksperti gjyqësor Sedat Krasniqi.
Veç tjerash, thuhet se Gjykata e shkallës së parë, nuk e ka arsyetuar faktin se parcelat të cilat janë paraqitur për sekuestrim të përkohshëm, a ka pasur ndërrim të subjekteve si pronar.
“Z. H ka qenë e ëma e tani të pandehurit Ylber Hyseni i cili si derivat i këtyre veprimeve ishte shpallur trashëgimtar, ndaj të cilit prokuroria ka bërë kërkesë dhe se ngastra kadastrale e fituar nga i pandehuri ka pësuar ndryshime dhe se në këtë pronë, a është bërë ndryshimi i gjendjes faktike dhe cenimi i interesave pronësore të paraqitësve të kësaj kërkesë”, thuhet në vendim.
Andaj, bazuar në këto, Kolegji i Gjykatës së Apelit më përbërje nga Kadrije Goga Lubishtani, kryetare, Ferit Osmani dhe Skender Çoqaj pjesëmarrës, kanë ka konstatuar se vendimi i shkallës së parë, i marrë nuk gjykatësja Edita Çanta, nuk ka arsyetuar pretendimet e prokurorit të shtetit të paraqitura në kërkesën për sekuestrimin e përkohshëm.
“Prandaj është kontradiktor dispozitivi dhe arsyetimi i aktvendimit të atakuar, e kjo për faktin se është e pa qartë se gjykata në bazë të cilës dispozitë e ka marrë vendimin, e që e bënë aktvendimin të pa qartë dhe në kundërshtim me vetë vetën”, arsyeton vendimi.
Ndryshe, Gjykata Themelore e Prishtinës kishte refuzuar kërkesën e të dëmtuarve Gursel e Nexhat Sadikut për sekuestrimin e pronës rreth tre hektarësh në Veternik, ku edhe po zhvillohen ndërtime.
Ky vendim i gjykatës, kishte ardhë një muaj pas urdhrit për sekuestrimin e përkohshëm të kësaj prone, pas kërkesës së Prokurorisë Themelore në Prishtinë.
Kjo pronë, dyshohet se familjes Sadiku iu është marrë përmes manipulimeve dhe dokumenteve të falsifikuar, për çka tashme janë hapur hetime ndaj të dyshuarit Ylber Hyseni, i cili sipas burimeve brenda prokurorisë gjendet në arrati dhe gjykata ka lëshuar urdhër arrest për të.
Ai dyshohet për kryerjen e veprave penale “legalizim i përmbajtjes së rreme” dhe veprës penale të “mashtrimit”, për çka edhe ishte kërkuar sekuestrimi i pronë se paluajtshme.
Veç tjerash, më 19 dhjetor 2022 përfaqësuesit e të dëmtuarve Sadiku, avokatët Bedri Avdullahu, Florim Shefqeti dhe Saranda Keqekolla-Sadiku, kishin bërë kërkesë për përjashtimin e gjykatëses Edita Çanta nga ky rast, me arsyetimin se ka luhatur në mënyre serioze besimin e palëve gjatë zhvillimit të procedurave për pronën kontestuese në Veternik.
Kryetarja e Gjykatës Themelore në Prishtinë, Albina Shabani-Rama, e kishte konsideruar këtë kërkese si të pabazuar dhe se edhe gjyqtarja e rastit kishte thënë se pretendimet nuk qëndrojnë.
Për këtë rast “Betimi për Drejtësi” ka hulumtuar dhe ka mbajtur një debat në emisionin Tempus. Përmes këtij hulumtimi tregohej se si Dhoma e Posaçme e Gjykatës Supreme, për të njëjtat parcela kishte zhvilluar disa procedura gjyqësore në të njëjtën kohë dhe për lëndën e Nexhat e Gursel Sadikut kishte vendosur pas 7 vjetësh ndërsa në rastin e Z.H vetëm për 9 muaj, duke e bërë edhe pronare të këtyre parcelave.
Familja Sadiku kishte thënë se kjo pronë është e tyre për gati një shekull dhe se përmes ekspertizave kanë gjetur se dokumentet me të cilat Z.H. i kishte kaluar në emër të saj janë të falsifikuara dhe se përmes vendimeve të kundërligjshme atyre u janë marrë rreth 3 hektarë tokë në Veternik, vlera e të cilëve kap shifra të mëdha. Sipas tyre, të përfshirë në këto dallavere janë zyrtarë e persona me ndikim, duke përfshirë gjykatës, prokurorë, policë, avokatë si dhe zyrtarë të tjerë.