Nëntë gëzhoja janë gjetur në afërsi të një post-blloku të vendosur nga Policia e Kosovës në Zveçan, të enjten në mbrëmje, ka bërë të ditur Policia e Kosovës.
Policia ka njoftuar se një njësit policor në Zveçan ka dëgjuar të shtëna me armë zjarri në afërsi të pikës së kontrollit.
Rasti ka ndodhur të enjten rreth orës 22:00, ka njoftuar policia.
“Njësiti policor ka dëgjuar të shtëna me armë zjarri në afërsi/distancë ku ishin duke qëndruar në pikë kontrolli. Zyrtarët policorë kanë ndërmarrë masa dhe kanë shkuar në vendin e ngjarjes, ku kanë gjetur nëntë gëzhoja të armës së gjatë por nuk kanë hasur ndonjë person të dyshuar”, thuhet në njoftimin e policisë.
Lidhur me rastin është njoftuar prokurori dhe rasti është duke u hetuar nga njësitë relevante.