Konfliktet e familjes së gruas me dhëndrin, janë të shpeshta në vendin tonë. Madje me raste ato nuk marrin fund, as atëherë kur çifti vendos të ndahet dhe për pasojë përfundojnë në Polici. Një rast i tillë ka ndodhur së fundi në Mitrovicë dhe është raportuar gjatë ditës së sotme.
Burimet nga Prokuroria kanë bërë me dije se këtë herë në rast janë përfshirë një burrë dhe ish-dhëndri i tij, të cilët që një kohë kanë pasur probleme të vazhdueshme.
Sipas informacioneve që ka Sinjali, i dyshuari M.L., po dyshohet se e ka kërcënuar ish burrin e vajzës së tij, të cilit i ka shkuar gjatë ditës së sotme deri te vendi i tij i punës, ku e ka sharë e ofenduar. Për të mos mbaruar me kaq, në shenjë revolte ia ka dëmtuar veturën dhe ia ka lënë një mesazh me urim për ditëlindje.
Përballë kësaj situate, viktima ka vendosur që ta denoncojë rastin, ku ka dhënë deklaratën e tij për atë që ka ndodhur mes tyre dhe ka kërkuar ndihmë nga Policia.
Pas përfundimit të procedurave policore, në lidhje me rastin është vënë në dijeni edhe Prokurori i Shtetit, i cili ka urdhëruar që nisin hetimet për dy vepra penale, “Kanosje” dhe “Dëmtim apo asgjësim i pronës”, teksa veprimet e tjera do të ndërmerren posa të kapet i dyshuari.