Emisari i BE-së për dialogun Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak, beson se në takimin e të hënës më 27 shkurt mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, do të pranohet propozimi franko-gjerman, e do të bëhet i detyrueshëm për të dyja palët.
Lajçak në një intervistë për “Tanjug” ka thënë se është edhe plani i implementimit dhe afatet kohore të definuara.
“Plani, që besoj se do ta pranojmë të hënën, do të bëhet i detyrueshëm për të dyja palët. Nuk është marrëveshje e përkohshme, pas kësaj do të vazhdojë procesi i normalizimit të gjithanshëm të marrëdhënieve, që do të përfundojë me nënshkrimin e një marrëveshje gjithëpërfshirëse, para hyrjes së Serbisë e Kosovës në BE”, ka thënë Lajçak.
“Është plani i implementimit, do t’i kemi të definuara qartë, se çfarë dhe në çfarë afati duhet të bëhet. BE-ja do të luajë rolin kyç në monitorimin e përmbushjes së detyrimeve”, ka thënë ai për Tanjug.
Të hënën do të mbahet takimi i radhës i nivelit të lartë në kuadër të dialogut Kosovë – Serbi.