Shefi i grupit parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri, ka folur në Kuvendin e Kosovës lidhur me statistikat e ikjeve të qytetarëve nga Kosova.
Tahiri ka thënë se në vitin 2021 janë larguar rreth 42 mijë qytetarë nga Kosova.
“Kemi lexuar statistika të frikshme të largimit nga vendi. Numri i qytetarëve që kanë emigruar në vitin 2021 është rreth 42 mijë e 700 qytetarë. Ende nuk e dijmë numrin e saktë në total të vitit 2022 që kanë lëshuar Kosovën. Dje lexuam shifrat e frikshme të largimit të nxënësve, po lexojmë raportimet për ikjet e mjekëve nga institucionet tona. Sot lexuam nga Oda e Mjekëve janë larguar mbi 40 mjekë vetëm këta 2 muaj”, tha Tahiri.
Tahiri ka kritikuar një intervistë të kryeministrit Kurti për gazetën franceze Le Monde.
“Kostoja e jetesës po bëhet e papërballueshme. Jo vetëm për ata që nuk gjejnë punë, por edhe nga ata që kanë pasur punë e kanë mbetur pa punë. Qytetarët kanë hall si t’i mbajnë fëmijët në Kosovë e të mos largohen. Akoma më skandaloze bëhet intervista e Kurtit për Le Monde që thotë disa largohen e të tjerët do të kthehen. Nuk mund të flasim me kaq papërgjegjësi për largimin e qytetarëve. Qeveria duhet të ndërmarrë masa urgjent. Të ulë numrin e të rinjëve që lëshojnë Kosovën”, ka thënë Tahiri.