Pas raportimit të Gazetës Sinjali për dyshimet për një rast të dhunës që ka ndodhur më “Kopsht dhe Çerdhe Nina” në Mitrovicë, edukatorja që dyshohet se rrahu fëmijën 5-vjeçar me nevoja të veçanta është larguar nga puna. Kjo u bë e ditur nga Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, teksa hetimet kanë nisur nga Prokuroria Themelore në Mitrovicë. Fotoja e fëmijës që u rrah është publikuar, ndërkohë që edukatorja i ka kërkuar familje prindërve të tij, raporton Gazeta Sinjali.
Sinjali raportoi dje se Prokurori i Shtetit ka urdhëruar që të merren masat e nevojshme hetimore, me ç’rast është intervistuar e dyshuara dhe e njëjta më pas është lënë e lirë. Ndaj saj ishte iniciuar rasti për veprën penale “Lëndim i lehtë trupor” .
Për gjithë këtë rast të ndjeshëm, drejtoresha e kopshtit, Agnesa Shipoli – Nika, kishte refuzuar të deklarohet. Në një prononcim për Sinjalin, ajo tha se nuk ka kohë e as nevojë të sqarohet për atë që është denoncuar.
“As me zbulu viktimën, as kurrgjë hiç, çkado që keni informacione, qysh ose ashtu, qyshdo që i keni. Përderisa nuk ka ankesë…Jo, nuk dua, absolut. Kqyrne në Polici a kena hesht. Ditën e mirë, nuk kom nevojë me të jep ma shumë informacion. Nuk kom kohë ma shumë. Shkoni në Polici merruni me rastin. A ka mundësi mos me më pengu ma gjatë? S’po du me të jep informacion, hiç.”, tha ajo.
Pasi ngjarja mori ‘dhenë’, Shipoli-Nika doli me një komunikatë për media, ku ka dhënë një shpjegim për rastin.
Prindi i fëmijës ka rrëfyer se edukatorja në fjalë ishte e angazhuar për t’u marrë me 5-vjeçarin me nevoja të veçanta, për çka prindërit paguanin nga 150 euro çdo muaj për trajtim.