Ratifikimi i marrëveshjes për marrjen e kredisë nga Banka Botërore për financimin e reformës në skemat pensionale dhe sociale në Kosovë, është shtyrë për një seancë tjetër. Kjo pasi Kuvendi nuk ka pasur kuorum për ta hedhur në votim këtë marrëveshje, raporton Gazeta Sinjali.
Mungesa e kuorumit u konstatua pasi Grupi Parlamentar i Lëvizjes Vetëvendosje deklaruan se nuk do të marrin pjesë në votimin e kësaj pike të rendit të ditës.
Duke qenë se, për ratifikimin e marrëveshjeve ndërkombëtare duhet dy të tretat e votave të deputetëve, LVV refuzoi të marrë pjesë në votim pasi Lidhja Demokratike e Kosovës u deklaruan kundër kësaj marrëveshje.
Shefja e Grupit Parlamentar të LVV-së, Mimoza Kusari-Lila, tha se dëshirojnë që të sigurohen që t’i kenë 80 vota me partitë tjera opozitare, dhe që të mos dështojë për herë të tretë kjo marrëveshje.
“Mospjesëmarrja e deputetëve të VV-së në votim sot është për arsye të mos rrezikimit të rrëzimit të kësaj marrëveshje. Ne do të presim dhe do të angazhohemi me dy partitë tjera që kur t’i kemi 80 vota të fusim në votim. Votimi apo pjesëmarrja jonë në votim, më kundërshtim të një grupi parlamentarë, pra LDK-ja e rrezikon rrëzimin për herë të tretë në Kuvend të një marrëveshje tepër të rëndësishme. Kjo është arsyeja që ne sot nuk marrim pjese në votim që të sigurohemi që herën e radhës t’i kemi numrat që ta kalojmë këtë marrëveshje”, u shpreh Kusari Lila.