Qeveria e Kosovës do të shqyrtojë sot propozim-vendimin e Ministrisë së Bujqësisë për emërimin e Venera Çerkinit, vajzës së tezës të presidentes Vjosa Osmani, në pozitën e drejtoreshës së një agjencie brenda ministrisë.
Venera Çerkini është përzgjedhur kandidatja më e suksesshme për pozitën e drejtoreshës së Agjencisë për Zhvillim të Bujqësisë (AZhB), sipas vlerësimit të një komisioni shtetëror pranues të themeluar nga Ministria e Punëve të Brendshme.
Kabineti qeveritar, i cili do të mblidhet sot në orën 10:00, do të shqyrtojë propozimin për emërimin e Çerkinit në krye të AZhB-së, bazuar në rendin e ditës të mbledhjes të cilin e ka publikuar të martën portali Demokracia.
Emërimi i Çerkinit në këtë pozitë është në shpërputhje me vlerësimin që e kanë bërë britanikët në këtë konkurs. Në vlerësimin e ekspertëve të Ambasadës së Britanisë së Madhe në Kosovë, Çerkini nuk është as në listën e ngushtë të kandidatëve që do të duhej të zgjidheshin në këtë pozitë.
Në vlerësimin e bërë nga britanikët shihet se dy kandidatët që mund të emërohen në këtë pozitë, të cilët kishin marrë mbi 70% të pikëve ishin Menderes Ibra dhe Muzafer Luma.
Mendres Ibra është vlerësuar me 70.25%, kurse Muzafer Luma me 70%.
Rendi i ditës të mbledhjes së sotme të qeverisë, përpos propozim-vendimit për emërimin e drejtoreshës së AZhB-së, përmban edhe dhjeta pika të tjera.
Qeveria, në pikat e rendit të ditës për mbledhjen e sotme ka përfshirë edhe shqyrtimin e Projektligjit për Organizimin e Tregut për Produktet Bujqësore, si dhe shqyrtimin e propozim-vendimit për aprovimin e kërkesës së ndërmarrjes Trepça për huamarrje.