Dy tërmete të reja kanë goditur shtetin turk, i cili ka përjetuar disa të tilla gjatë javëve të fundit.
Tërmeti i parë me magnitudë prej 6.4 shkallësh të Rihterit ka ndodhur në Defne të Hatayt ndërsa i dyti epiqendrën e kishte në Samandag ndërsa ishte me magnitudë prej 5.8 ballësh të Rihterit.
Raportohet se shumë njerëz raportohet se kanë mbetur nën rrënojat e reja të ndërtesave të shembura.
Këtë e ka pohuar edhe kryetari i qytetit të Hatayt, Lutfu Savaş, i cili ka deklaruar se “Disa banesa janë shembur, ka njerëz që kanë mbetur nën gërmadhat e ndërtesave”.
Tashmë janë publikuar edhe pamjet e para të qytetarëve në rrugë, të cilët po frikësohen nga shembja e ndërtesave.
Tërmeti i parë ka ndodhur në një thellësi prej 16.7 kilometrash, ndërsa tërmeti i dytë ka ndodhur në një thellësi prej 7 kilometrash.
Ndërkohë, Qendra Sizmike Evropiane paralajmëroi se zona bregdetare duhet të evakuohet urgjentisht, pasi ekziston rreziku i cunamit pas tërmeteve të fundit në Hatay.
Agjencia turke për Menaxhimin e Fatkeqësive dhe Emergjencave (AFAD) njoftoi gjithashtu se “është e rëndësishme që qytetarët të qëndrojnë larg vijës bregdetare në mënyrë që të marrin masa paraprake kundër rrezikut të rritjes së nivelit të detit deri në 50 cm”.
Ndryshe, dy tërmetet e fundit të 6 shkurtit shkaktuan vdekjen e mbi 41 mijë personave në shtetin turk.