Veterani dhe Invalid i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Isuf Hoti në një intervistë ekskluzive për IndeksOnline, ka rrëfyer për jetën e tij si luftëtar i lirisë,përgjatë viteve 1998-1999.
Ani pse ndonjëherë e kishte të vështirë të fliste për gjithë ato që i kishte kaluar ai s bashku me shokët e tij, sytë tij tregonin të gjitha, dhimbjen dhe krenarinë njëkohësisht.
E derisa tregonte për bashkëluftëtarët e tij të plagosur, sytë i mbusheshin me lot. Ish-pjesëtari i UÇK-së thotë se në atë kohëshumë luftëtarë të plagosur, i kishte marrë dhe me urdhër të komandantit legjendarë Adem Jashari i kishte transferuar në Tic. E ashtuquajtura emergjencë ku trajtoheshin të lënduarit dhe të plagosurit gjatë luftimeve me armikun serbë.
Hoti rrëfen për IndeksOnline se 11 ditë pas rënies legjendare të Adem Jasharit dhe familjes së tij ishte formuar pika e parë në fshatin Polac, në aeroportin e Morinës, për t’i treguar armikut që nuk janë dorëzuar.
“Me 11 mars 1998 është sulmuar nga forcat tona në aeroportin e Morinës. Armikun e kemi sulmuar dhe gjuajtur për t’i treguar që ne e vazhdojmë luftën dhe do të vazhdojmë deri në përfundim”, tha ai.
Ish-luftëtari UÇK-së tregon se më pas u pajisen me armatime nga Shqipëria dhe se deri në momentin kur NATO ka hyrë në Kosovë, kanë qenë në ballë të frontit duke luftuar dhe mbrojtur vendin.
Lufta e vitit 1998-1999 mori jetën e 87 djemëve dhe vajzave të fshatit Polac, të cilëve iu ngritën dhe lapidarin në fshatin e tyre, në shenjë nderi për veprat heroike.
Ish-pjesëtari i luftës gjatë intervistës tregoi se si gjatë luftës së fundit në Kosovë me duart e tij, i kishte varrosur 85 viktima.
Ndërsa ende ka shpresë që një ditë do t’i gjejnë eshtrat e shtatë përsonave të zhdukur në fshatin Polac.
Ish-luftëtari tregon që ka ndarë një pjesë të parcelës, për t’i varrosur trupat e tyre.