Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka pranuar një letër urimi nga presidenti francez Emmanuel Macron, në të cilën shprehi gatishmërinë e vendit të tij për të mbështetur edhe më tej Kosovën.
Presidenti francez në letrën e urimit theksoi se mirëpret përkushtimin e presidentes Osmani për forcimin e sundimit të ligjit dhe zhvillimin ekonomik të Kosovës.
“Franca qëndron pranë vendit tuaj për ta ndihmuar atë të përballojë sfidat e saj, duke filluar me luftën kundër pandemisë. Franca së shpejti do të dorëzojë 15,000 teste antigjenike në Kosovë në përgjigje të nevojave të saj urgjente”, thuhet në telegramin e presidentit Macron.
Më tej, presidenti francez theksoi se marrëdhëniet dypalëshe do të vazhdojnë të forcohen.
Presidenti Macron përmendi edhe dialogun e Kosovës me Serbinë, duke inkurajuar vazhdimin e tij drejt një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse, përfundimtare dhe ligjërisht të detyrueshme.