Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Driton Selmanaj, sot në seancën e Kuvendit, shprehu shqetësimin për ikjen masive të qytetarëve jashtë Kosovës.
Sipas tij, në 10 vjetët e fundit nga vendi janë larguar afër 600 qytetarë, e për këtë arsye, ai kërkoi që të ngritet alarmi për një emergjencë shtetërore.
“Mendoj se nëse vazhdoj kjo gjendje duhet të gjitha ne si institucione dhe qeveri si Kuvend edhe institucionet tjera edhe shoqëria civile të ngrehim gjendjen e alarmit të një emergjencë shtetërore…mendoj që duhet urgjentisht ta bëjmë një analizë se cilat janë shkaqet e ikjes sepse tani vetëm se gjendja ekonomike po duket se nuk është argumenti kryesor se ata po ikin, pakënaqësia me sistemi shëndetësor e arsimor e gjitha të tjerat duket sikur janë aduti kryesor se njerëzit po ikin. Deputet po e shoh se nuk po e merrni si shumë shqetësim këtë punë dilni jashtë Prishtinë dhe qyteteve të mëdha që 50-60 e fshatrave kanë mbetur me dyer të mbyllura”, tha Selmanaj.
Ai paraqiti disa shifra të siguruara që flasin për ikje masive të qytetarëve.
Selmanaj tha se po ndodh një eksod masivi i ikjes së qytetarëve nga Kosova.
“ Një numër i madh i njerëzve në Kosovë s’po e projektojnë jetën në Kosovë më, nuk po i projektojnë më idealet dhe ëndrrat e tyre për të realizuar të ardhmen e tyre në Kosovë. Fshatrat po zbrazen e shkollat po boshatisen, shtëpitë po mbyllen. Vetëm në Ambasadën Gjermane për një vit, gjatë vitit 2022, 105 mijë qytetarë kanë aplikuar për vizë, në Ambasadën Zvicerane 38 mijë e 341 aplikues për vizë dhe nga ta, 34 mijë prej tyre janë pajisuar me vizë. Një vit paraprak në vitin 2021 vetëm në Ambasadën Zvierane kanë aplikuar diku 19 mijë e 737 qytetarë ndërkohë që, 17 mijë e 90 janë pajisur me vizë. Kjo qenka qeveri e shpresës, kjo qenka qeveri, e cila nxitë kurajon për të jetuar në Kosovë“, tha ai.
Deputeti i LDK-së, Driton Selmanaj u shpreh po ashtu se në 10 vjetët e fundit 30% e qytetarëve kanë ikur nga Kosova.
Ajo konsideron se ky trend, i cili po rritet e rrezikon Kosovën të mbetet me një popullsi më të vogël se Mali i Zi.
“Brenda 10 viteve të nderuar deputet janë larguar 529 mijë e 647 qytetarë të Kosovës ose 30% e popullatës së Kosovës unë nuk e them që ky trend është vetëm tani unë e them se në 10 vitet e fundit afër 600 mijë qytetarë apo 30% e popullatës kanë ikur nga Kosova dhe kur ju thonit se kjo është qeveria e shpresës tani më të dhënat që unë ua prezantova janë më shqetësuese se një vit paraprak, që i bie trendi është në rritje masive dhe nëse vazhdojmë me këtë qasje dhe trend jam i bindur se për 10 vitet e ardhshme në Kosovë do të mbesim me popullatë më pak se Mali i Zi”, shtoi ai.