Deputeti i LVV-së, Haki Abazi ka konfirmuar se ekziston një urdhër nga kryeministri Albin Kurti që të shkarkohet nga pozita e kryetarit të Komisionit Parlamentar për Punë të Jashtme.
Sipas tij, kjo nuk është e papritur pasi tregoi se shpeshherë ka treguar qëndrimet e tij për çështjet që kanë ndodhur në Kosovë
Megjithatë, ai u shpreh se në fund të fundit, Kuvendi i Kosovës merr vendim nëse do të shkarkohet apo jo.
“Unë jam këtu për të konfirmuar që është dhënë urdhër për shkarkimin nga kryetari i komisionit dhe anëtar i komisionit. Nuk është krejt e papritur kjo gjë. Unë kam shprehur qëndrimet e mia si deputet në konferenca për shtyp deri në momentin kur kuvendi aprovon vendimin apo jo. Në fund ky vendim do të merret në Kuvendin e Kosovë. Do të vazhdoj që me transparencë dhe në mënyrë direkte të shpalos qëndrimet se çfarë ndodh në Kosovë”, tha ai në një konferencë para gazetarëve.
Megjithatë, ai shtoi se nuk ka qëllim rrëzimin e Qeverisë Kurti.
Për këtë çështje tha se as opozita nuk i ka numrat e as nuk “ekziston” ish-emisari Richard Grenell, që ta bëjë një gjë të tillë.
Ai po ashtu tregoi se nuk ka votë për ta rrëzuar Qeverinë e udhëhequr nga kryeministri Albin Kurti.
“Sigurisht kureshtja është sot për arsyen që ka sjell urdhëron e kryeministrit Kurti për shkarkimin tim. Mendoj që çështja kryesore është që Kurti mendon që unë do të hidhërohem shumë dhe do të bëhem pjesë e atyre që ta rrëzojnë atë nga qeveria. Kurti është në kërkim të atyre që donë ta rrëzojnë atë. Unë nuk jap votë kundër Qeverisë Kurti dhe s’e bëj atë viktimë për ta larguar. Opozita nuk mund ta rrëzojë, Grenelli nuk ekziston më. Escobar nuk mund të krahasohet me Grenellin. Asnjë interes nuk e ka askush që ta rrëzoj qeverinë Kurti. Opozita nuk i ka votat, as unë e asnjë deputet me integritet përbrenda Grupit Parlamentar të LVV’së s’është i interesuar ta rrëzoj qeverinë Kurti”.