Kryetari i trupit gjykues, Charles L. Smith II, ka thënë se gjykimi ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, do të fillojë më 3 prill 2023.
Sipas tij, deklarata hyrëse e ZPS-së do të zgjas jo më shumë se 5 orë, kurse ajo e përfaqësuesit të viktimave deri në 45 minuta.
“Thaçit do t’i duhen 3 orë, mbrojtja e Selimit 1 orë maksimum. Mbrojtja e Krasniqit, 1 orë e gjysmë dhe do të ketë edhe pyetje të trupit gjykues”, tha Smith, derisa për Veselin tha se do të duhen 45 minuta.
Ai tha se kërkojnë që palët të shmangen nga deklaratat politike dhe të fokusohen në çështjet thelbësore që lidhen me provat dhe argumentet e tyre dhe mos të përsëriten gjërat që janë thënë në dosjet paraprake.
Nga mbrojtja e Krasniqit, u tha se ai mund të bëjë deklaratë jo nën betim që mund të zgjasë 1 orë e gjysmë. Të njëjtën gjë u tha se mund ta bëjë edhe Rexhep Selimi.
Lidhur me përfundimin e paraqitjes së çështjes së Prokurorisë, kryetari i trupit gjykues, Charles L Smith II, bëri të ditur se kanë njoftuar se do të përfundojnë paraqitjen e provave në fund të vitit 2024 apo fillim të vitit 2025.
Këtë kohë, e konsideroi të gjatë avokati i Kadri Veselit, Ben Emmerson. Të këtij mendimi ishin edhe avokatët e Krasniqit e Selimit.
Kurse, avokati Gregory Kehoe, mbrojtës i Thaçit, tha se është e vështirë të thuhet se kur mbrojtja do të përfundojë paraqitjen e çështjes së saj.
“Mendoj që do të na duhen 3 muaj”, tha ai. Kurse, Emmerson tha se u duhen tre apo katër muaj.