Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se qeveria e drejtuar nga ai është duke punuar vazhdimisht për mirëqenien e qytetarëve, përcjell Gazeta Sinjali.
Kurti në konferencën e organizuar nga një universitet privat me temën “Kosova dhe Urbanizmi i Ri: Qëndrueshmëria, Inovacioni, Teknologjia, Qëndrueshmëria dhe Investimet”, përmendi disa nismat e qeverisë në këto fusha.
“Jetesa dhe banesa janë gjithashtu në fokus të gjitha projekteve zhvillimore që ne i bëjnë në mënyrë që edhe ato të mos jenë në kurriz të njëra tjetrës por të jenë shtylla të progresit të ekosistemit tonë”, tha ai.
“Në 35 komuna të Kosovës, tashmë e kemi të përfunduar planin zhvillimor komunal, pjesa tjetër janë në përfundim të procesit të miratimit. Sa i përket dokumentit tjetër harta zonale komunale, 8 nga gjithsej 38 komuna, tashmë e kanë miratuar, 24 janë në hartim e sipër, ndërsa 6 ende nuk kanë filluar procesin”, shtoi ai.
Tutje Kurti tha se përmes Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor janë duke bërë lehtësira për të përshpejtuar procesin veçanërisht thjeshtimin e procedurave të mbikëqyrjes dhe dhënies së pëlqimeve të nevojshme.
“Digjitalizimi i tërë këtij procesi është komponent e rëndësishme të cilën synojmë ta arrijmë deri në mes të vitit 2024. Kur jemi të digjitalizimi poashtu nëpërmjet MMPH kemi kompletuar dhe përditësuar databazën kombëtare gjeohapsinore, ndërkaq synojmë që deri në fund të 2024 të gjitha komunat ti kenë të krijuara dhe kompletuara data bazat gjeohapsinore lokale, për këtë qëllim janë ndarë 400 mijë euro”, tha ai.
Tutje Kurti tha që janë duke punuar edhe për hartat e rrezikut në mënyrë që në raste të fatkeqësive komunat ta kenë më lehtë menaxhimin e tyre.
“Jemi duke punuar në përpilimin e hartave të rrezikut nga përmbytjet dhe hartave të rrezikshmërisë së përmbytjeve, finalizimi i tij do të ju ndihmoj qyteteve që të parandalojnë dëmet e mëdha nga vërshimet si dhe të menaxhojnë krizat me lehtë e më mirë”, tha ai.
Kurti poashtu përmendi edhe disa projekte infrastrukturore për të cilat tha që synojnë ti përfundojnë brenda këtij viti.
“Me mbi 60 milion euro të ndara vetëm për vitin 2023 synojmë t’i vazhdojmë punimet e t’i përfundojmë pjesën më të madhe të tyre në autostradën e Gjilanit, rrugën Prishtinë-Podujevë, Dolloc- Gjakovë, Kiev- Zahaq dhe Prishtinë-Mitrovicë”, shtoi ai.
Kurti poashtu para të pranishmëve dha detaje edhe për projektin ‘Solar for Kosovo”.
“Bashkë me krijimin e databazës për energji solare, tashmë kemi siguruar lokacionin për një projekteve më të mëdha të energjisë diellore në Evropë ‘Solar for Kosovo’. Ky investim me vlerë 64 milion euro parashihet ti shtoj sistemit të ngrohjes së Prishtinës rreth 70 megavat kapacitet nga i cili do të përfitojnë rreth 60 mijë banorë”, tha ai.