Një grua e cila ishte raportuar e zhdukur në fillim të muajit shkurt në fshatin Terrnje të Suharekës, ka aktivizuar të afërmit dhe Policinë për të mësuar diçka rreth vendndodhjes së saj.
Mëngjesin e 3 shkurtit, 35-vjeçarja ishte larguar nga shtëpia e saj dhe nuk ishte kthyer më atje, gjë e cila kishte bërë që familjarët ta raportojnë rastin në Polici, duke pritur që të marrin informacione për fatin e saj.
Burimet e Sinjali bëjnë me dije se gjatë ditës së djeshme ajo është kthyer në shtëpinë e saj shëndosh e mirë dhe ndërkohë është intervistuar nga hetuesit lidhur me gjendjen në të cilën ajo ndodhej.
Bazuar në dëshminë e saj, gjatë 11 ditëve që ishte raportuar si e zhdukur, ajo ka qëndruar me një burrë, teksa deklaron se nuk ka pasur presion as trysni nga askush.
Sipas saj, ajo tash e tutje do vazhdojë bashkëjetesën me të, por është kthyer në shtëpi që ta njoftojë bashkëshortin e saj lidhur me vendimin që ka marrë.