Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka shuar kureshtjen se si duket trysnia ndërkombëtare.
Këtë ai dje e ka pranuar para deputetëve të Kuvendit të Kosovës, në seancën ku po diskutonin për dialogun Kosovë-Serbi, i lehtësuar nga Bashkimi Evropian, shkruan Demokracia.com.
Por, disa muaj më parë Albin Kurti kishte deklaronte se mbi të nuk ka trysni nga ndërkombëtarët dhe do të donte ta dinte si duket ajo.
Nuk ka trysni mbi mua, nuk ka presion mbi mua. Ata që kanë përjetuar trysni duhet ta tregojnë se si duket ajo trysni. Unë edhe më tutje jam kureshtar ta di si duket trysnia ndërkombëtare. Por ka mundësi që kur nuk je i korruptuar e nuk mund të të shantazhojnë, nuk e përjeton as trysninë”, thoshte muaj më parë shefi i ekzekutivit.
E Albin Kurti të hënën në seancën e Kuvendit të Kosovës, harroi edhe njëherë se çfarë kishte thënë.
Ai duke folur për planin franko-gjerman apo siç parapëlqen Kurti ta quajnë plani evropian tha se më 20 janar emisarët e Gjermanisë dhe Francës që kishin ardhur bashkë me emisarin e BE-së, Miroslav Lajçak, kanë dhënë disa qëndrime. Sipas tij, ata e kanë bërë të qartë se plani është fare pranë propozimit “merre ose leje”.
Kurti të hënë tha se Qeveria e Kosovës e ka ndërtuar qasjen e saj strategjike për dialog, në dy qëllime fillestare. Një, sipas tij, është ndërprerja e praktikës së përfshirjes së çdo çështjeje potencialisht kontestuese ndërmjet palëve në fushëveprimin e dialogut.
Ai ka thënë se qëndrimi i Kosovës ishte që maksimumi që mund të diskutohej në Bruksel ishin problemet e zbatueshmërisë së marrëveshjeve të nënshkruara në Bruksel dhe hapja e kapitullit të procesit të bisedimeve për ndërtimin e raporteve të jashtme të fqinjësisë së mirë.
Kurti ka shtuar se si rezultat i qasjes fillestare të Kosovës, përfaqësuesi i lartë i BE-së për Politikë të Jashtme, Josep Borrell, për herë të parë pranoi të bëjë hapin e madh, takimin e 18 gushtit të vitit të kaluar, ku sipas tij, kornizoi takimin e nivelit të lartë mbi dy pika qendrore, në kornizën e përgjithshme të marrëveshjes dhe çështjet aktuale.
Ai ka thënë se hapi kryesor e ku do të lindin pyetjet më serioze për Asociacionin do të jetë në procesin e negocimit të planit të zbatimit.
“Qëndrimi ynë është që Asociacioni mund të konsiderohet nëse plotësohen gjashtë parimet që i kam paraqitur këtu një javë më parë”, ka thënë ai.
“Takimi i 18 gushtit ishte si pasojë e presionit të Qeverisë që dialogu të kalojë në fazën e rregullimit ndërkombëtar të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, të përqendruar në njohjen reciproke e jo në
çështjet e brendshme. Në këtë takim ja bëra të qartë Borrelllit e presidentit serb, Aleksandar Vuçiqit që Kosova nuk do të pranojë dialog që nuk ka në qendër njohjen e ndërsjellë”, ka thënë ai.
Kurti ka thënë se edhe pse ishte kërkuar konfidencialitet për planin evropian, ai kishte vendosur që ta njoftonte opozitën.
Derisa ka shpjeguar nenet të cilat përfshihen në planin franko-gjerman, ai ka thënë se Kosova ka paraqitur edhe kërkesat e veta.
Sipas tij, propozimi për herë të parë vendoste në fokus marrëdhëniet e jashtme të Kosovës.
Kurti ka thënë se propozimi ka gjuhë të qartë vlerore dhe universale.