Kanë shkaktuar sërish tension banorët e zonës së “Astirit” të udhëhequr nga ish-deputeti Klevis Balliu, me forcat e policisë pranë ministrisë së Punëve të Brendshme.
Banorët që kundërshtojnë projektin e “Unazës së Re”, dhe që i janë bashkuar protestës së opozitës, kanë tentuar të çajnë gardhin metalik në pjesën e ministrisë që lidhet me pedonalen. Një hapësirë e rrethuar me forca policie për të garantuar kalimin e deputetëve përmes pedonales drejt Parlamentit, për t’iu bashkuar seancës plenare, është tentuar të çahet nga banorët.
Forcave të rendit i janë bashkuar edhe efektivët e Shqiponjave, të cilët i kanë larguar protestuesit nga gardhi rrethues. Në ministrinë e Brendshme sot mbërrin një delegacion holandez për një takim që do të mbajnë me ministrin Sandër Lleshaj. Ai do të takojë ministrin e Sigurisë dhe Drejtesisë së Holandës.