Mëngjesi i të hënës nuk ishte i zakonshëm si çdo fillimjave tjetër. Kryelajm në të gjitha mediat botërore ishte tërmeti i fortë që kishte goditur Turqinë dhe Sirinë. Tërmetet me magnitudë 7.7 dhe 7.6, me qendër në provincën Kahramanmaras, prekën më shumë se 13 milionë njerëz në 10 provinca, duke përfshirë Adana, Adiyaman, Diyarbakir, Gaziantep, Hatay, Kilis, Malatya, Osmaniye dhe Sanliurfa. Disa vende në rajon, duke përfshirë Sirinë dhe Libanin, gjithashtu ndjenë lëkundjet e forta që goditën Turqinë në më pak se 10 orë. Numri i personave që u gjetën të vdekur nën rrënoja sa vjen e rritet, duke shkuar kështu në mbi 25 mijë jetë të humbura, raporton Gazeta Sinjali.
Në ditën e gjashtë të tërmetit shkatërrues, ekipet e kërkim-shpëtimit po vijojnë përpjekjet për të shpëtuar viktimat që mund të jenë ende gjallë nën rrënoja.
Megjithatë, në mes të tragjedisë, ka pasur skena të mrekullueshme të mbijetesës dhe shpëtimit, edhe disa ditë pas tërmetit.
Edhe në Siri po vazhdojnë punimet e kërkim-shpëtimit që vazhdojnë në rajonet nën kontrollin e opozitarëve, ku po marrin pjesë edhe anëtarët e Ushtrisë Kombëtare të Sirisë (SNA). Të plagosurit dërgohen për trajtim në qendrat shëndetësore. Të prekurit që janë dëmtuar ose që u janë shembur shtëpitë nga tërmeti e kalojnë natën në rrugë, nëpër xhami ose në tenda të improvizuara.
Në këto ditë të vështira për popullin turk dhe sirian, shtete nga e gjithë bota kanë ofruar ndihmën e tyre.
Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, ka thënë se 70 shtete kanë ofruar ndihmë për shtetin e tij, pas tërmeteve shkatërruese.
Në mesin e këtyre shteteve janë edhe shtetet e Ballkanit Perëndimor, përfshirë Kosovën, ku menjëherë pas lajmit të kobshëm, autoritetet në Kosovë ofruan mbështetje për Ankaranë.
Në orët e mbrëmjes së 6 shkurtit, Ministria e Mbrojtjes e Kosovës njoftoi se një kontingjent i Forcës së Sigurisë së Kosovës u nis për të ndihmuar autoritetet turke.
Në kontingjentin e FSK-së bëjnë pjesë specialistë të kërkim-shpëtimit urban, mjekësi emergjente dhe njësitë e qenve për kërkim-shpëtim.
“Varësisht nga nevojat dhe kërkesat e ditëve në vijim do të shtohen kapacitetet reaguese për reagim, kërkim-shpëtim dhe sanim të pasojave të tërmetit”, u tha në njoftimin e Minitrisë së Mbrojtjes.
Kosova, po ashtu, ka thënë se do t’i ndihmojë shtetasit e saj që gjenden në Turqi, duke vendosur edhe dy numra emergjentë.
Po ashtu, 53 persona më 6 shkurt janë nisur nga Shqipëria drejt Turqisë për ta ndihmuar në operacionet e kërkim-shpëtimit. Në ekipin e dërguar nga Shqipëria ka personel mjekësor dhe specialistë të kërkim-shpëtimit.
Edhe Maqedonia e Veriut ka ofruar ndihmë për Turqinë, ku sikurse dhe në Siri, janë mijëra persona të zhdukur, që besohet se kanë mbetur të bllokuar nën rrënojat e ndërtesave të shembura. Qeveria në Shkup ka miratuar vendimin për dërgimin e 24 pjesëtarëve të Armatës për të ndihmuar autoritetet turke në përballje me pasojat e tërmeteve të fuqishme. Ministria e Financave e Maqedonisë së Veriut, bazuar në vendimin e Qeverisë, ka ndarë nga buxheti 6 milionë denarë (100.000 euro) për të ndihmuar njerëzit në zonat e goditura nga tërmeti vdekjeprurës.
Ndërkaq, Serbia po ashtu ka ofruar ndihmë për Turqinë. Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, më 6 shkurt urdhëroi që të dërgohen njësite të specializuara nga Ministria e Punëve të Brendshme.
Autoritetet e qyteteve në Mal të Zi, Podgoricë, Nikshiq dhe Kotor, kanë njoftuar se do të nisin ekipe të shpëtimit dhe të mbrojtjes civile në Gaziantep dhe në qytete të tjera turke që janë të goditura nga tërmeti. Edhe anëtarë të mbrojtjes dhe shërbimeve të shpëtimit nga disa qytete të Malit të Zi janë nisur drejt Turqisë për të ndihmuar në operacionet e kërkim-shpëtimit.
Institucionet shtetërore në Bosnjë e Hercegovinë, po ashtu kanë ofruar mbështetje për Turqinë. Pjesëtarët e Administratës për Mbrojtje Civile të Republikës Sërpska janë nisur më 7 shkurt për në Turqi për të ndihmuar kolegët e tyre atje. Ky ekip përbëhet nga 22 pjesëtarë të administratës dhe qen për kërkim-shpëtim.
Edhe kryeministri i Kroacisë, Andrej Pllenkoviq, i ka premtuar Turqisë ndihmë për zonat e shkatërruara nga tërmeti. Kroacia, po ashtu, do të dërgojë në Turqi një ekip shpëtimi prej 40 personash.
Pos Ballkanit, ndihmë kanë ofruar edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Kanadaja, Britania e Madhe, e superfuqi tjera botërore.
Agjencia kryesore e SHBA-së për ndihma humanitare në qeverinë amerikane ka premtuar një ndihmë prej 85 milionë dollarësh për viktimat e tërmeteve në Turqi dhe Siri. Shefja e Agjencisë, Samantha Poëer, tregon se aktualisht 200 persona nga ekipi i menaxhimit të katastrofave janë dërguar në Turqi, të cilët operojnë në qytetet Adiyaman, Adana dhe Ankara.
Kryeministri i Kandasë, Justin Trudeau, ka thënë se shteti të cilin ai e udhëheq ka vendosur të ndajë menjëherë 10 milionë euro, ndërsa do të vazhdojnë t’i mbështesin këto dy vende.
Ndryshe, 67 persona janë nxjerrë nga rrënojat në 24 orët paraprake, tha zëvendëspresidenti turk, Fuat Oktay, gjatë një adresimi në orët e vona të së premtes.
Rreth 80.000 persona janë duke u trajtuar në spitale, ndërkaq 1.05 milion persona anë mbetur pa shtëpi, tha Oktay.
“Qëllimi ynë kryesor është të sigurohemi që ata t’i kthehen jetës normale, duke u ofruar strehim brenda një viti dhe duke ua shëruar dhimbjen sa më shpejt që të jetë e mundur”, theksoi Oktay.
Në Siri, që po ashtu u godit nga tërmetet prej 7.8 dhe 7.5 ballësh, presidenti sirian, Bashar al-Assad, ka realizuar vizitën e parë në zonat e prekura nga tërmeti. Siç ka raportuar media shtetërore siriane, ai së bashku me gruan e tij Asma, kanë vizituar një spital në Alepo.
Qeveria e tij ka miratuar ndihmën humanitare për gjithë linjën e frontit në luftën civile 12-vjeçare, një lëvizje kjo që mund të ndihmojë miliona njerëz që kanë nevojë urgjente për ndihmë.
Tërmeti i së hënës prej 7.8 ballësh – që u pasua nga disa tërmete të tjera të fuqishme – në Turqi dhe Siri, është fatkeqësia e shtatë më vdekjeprurëse e këtij shekulli.
Të paktën 6.000 ndërtesa janë shembur pas tërmetit që la të vdekur mbi 25 mijë persona dhe kjo ngjarje ka nxitur zemërimin e publikut lidhur me kualitetin e dobët të ndërtimit.
Policia turke ka arrestuar 12 persona lidhur me shembjen e ndërtesave në provincat juglindore të Gaziantepit dhe Sanliurfës, raportuan mediat lokale.
Sipas agjencisë së lajmeve, DHA, në mesin e të arrestuarve ka edhe kontraktorë.
Pritet që të ketë edhe arrestime të tjera, pasi prokurori publik në Dijarbakër – një prej dhjetë provincave që u goditën nga tërmetet – lëshoi urdhër-arreste për 29 persona të shtunën, raportoi media shtetërore.
Një prej të arrestuarve të shtunën ishte një kontraktor i një ndërtese në Gaziantep, raportoi media shtetërore, duke shtuar se ai u gjet nga Policia në Stamboll.
Ka pasur një valë të hetimeve të nisura nga prokurorët në provincat e goditura nga tërmeti.
Ministria e Drejtësisë së Turqisë ka urdhëruar prokurorët në dhjetë provincat turke që të themelojnë “zyra hetuese për krime sa i përket tërmeteve”.
Me zemrim publik u përball edhe vetë presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan.
Ky tërmet ndodhi pikërisht në kohën kur Erdogani vetëm se filloi të “pëlqehej” nga qytetarët në Turqi, pas një situate krize të krijuar si pasojë e gjendjes të rëndë ekonomike që kaploi popullatën në vitin e kaluar, raporton REL.
Vendasit ankohen se ekipet e shpëtimit nuk kanë mbërritur me kohë për të nxjerrë të mbijetuarit e orëve të para kritike. Disa përmendën mungesën e pajisjeve për shpimin e pllakave të betonit.
Të mërkurën, Erdogan pranoi “mangësitë” në trajtimin e katastrofës nga Qeveria.
Megjithatë, ai vazhdon të luftojë. Të martën, presidenti turk udhëhoqi një aksion shpëtimi në Ankara dhe më pas kaloi dy ditët e ardhshme duke vizituar një sërë qytetesh të shkatërruara.
Një tërmet me magnitudë të ngjashme në Turqi më 1999 kishte vrarë mbi 17 mijë persona, por që sipas presidentit turk Erdogan, tërmetet e së hënës ishin tri herë më të mëdha dhe më shkatërruese.