Gati një javë pas goditjes së një balone kineze të dyshuar për spiunim, SHBA ka qëlluar një objekt tjetër fluturues në hapësirën e saj ajrore, këtë herë para brigjeve të Alaskës.
Objekti fluturues ndodhej në lartësinë 12 kilometra mbi shtetin federal, Alaska dhe përbënte rrezik për sigurinë e trafikut të aviacionit civil, bëri të ditur qeveria amerikane. Prandaj presidenti, Joe Biden dha urdhrin për të qëlluar. Nuk ka ende informacione për origjinën dhe qëllimin e lëvizjes së një objekti të tillë. “Ne nuk e dimë, se kujt i përket një objekt i tillë”, tha drejtori i komunikimit në Këshillin Kombëtar të Sigurisë, John Kirby në Uashington. “As nuk e dimë, se çfarë objekti ishte”, tha Kirby. Qeveria amerikane shpreson të marrë përgjigje pas mbledhjes së rrënojave. Pjesë të objektit kanë rënë pas goditjes në akull. “Ne shpresojmë që mbledhja e rrënojave të ketë sukses dhe të mund të mësojmë më shumë për këtë.”
Shumë pyetje të hapura
Të shtunën e kaluar, ushtria amerikane kishte qëlluar një balonë kineze të dyshuar për spiunim para brigjeve të shtetit federal të Karolinës Jugore mbi Atlantik. Qeveria e SHBA e akuzon Kinën, se ka dashur me balonën të spiunojë baza ushtarake amerikane. Pekini nga ana e tij ka bërë fjalë për një balonë studimore civile, që ka humbur kursin e lëvizjes, dhe e vlerëson goditjen e saj si “reagim të ekzagjeruar”. Incidenti i ka shtuar tensionet mes SHBA e Kinës,
Në lidhje me objektin fluturues të shfaqur mbi Alaska ka shumë pyetje të hapura. Një objekt i tillë fluturues është parë të enjten në mbrëmje (ora lokale) për herë të parë, bëri të ditur, drejtori i komunikimit të Këshillit Kombëtar të Sigurisë, Kirby. Sipas të dhënave të deritanishme ky objekt është shumë më i vogël, se balona kineze. Ka gati madhësinë e një automjeti të vogël, sipas Kirbyt. Kurse balona kineze kishte madhësinë e dy deri në tre autobusëve. Kirby theksoi se “ne edhe më tej do ta vëzhgojmë me vigjilencë hapësirën tonë ajrore.”