Një aksion i Njësisë së Antidrogës në Policinë Rajonale në Prizren i zhvilluar mbrëmjen e djeshme ka rezultuar me identifikimin dhe kapjen e një personi që dyshohej për shitjen e substancave narkotike në Prizren dhe në disa vende të tjera. I riu u arrestua në flagrancë nga Policia, me ç’rast iu gjet edhe kokainë, raporton Gazeta Sinjali.
Burimet e Gazetës Sinjali brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se bëhet fjalë për Urim Pirecin, 26-vjeçar, i cili tashmë ndodhet nën masën e ndalimit policor.
I riu u ndalua në orët e mbrëmjes nga një njësi policore dhe gjatë kontrollit trupor, atij i janë gjetur dy qese me substancë të dyshuar narkotike të llojit kokainë.
Policia në koordinim me Prokurorinë dhe me urdhër të Gjykatës ka realizuar edhe bastisje në shtëpinë e të dyshuarit, ku është gjetur dhe sekuestruar drogë e llojit kokainë. Po ashtu është kontrolluar edhe vetura personale e të dyshuarit, mirëpo aty nuk është gjetur asgjë e kundërligjshme.
26-vjeçari është arrestuar dhe është shoqëruar në stacion policor, ku është intervistuar në prezencën e avokatit të tij mbrojtës. Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka nxjerrë aktvendim që i riu të dërgohet në mbajtje dhe ndaj tij të nisin hetimet.
Sipas Kodit Penal të Kosovës, është e jashtëligjshme që qytetarët të blejnë, posedojnë apo shpërndajnë substanca narkotike dhe mund të dënohen me gjobë apo burgim, varësisht nga sasia dhe lloji i lëndës narkotike që iu kapet nga autoritetet e rendit.
Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.