Prokuroria Themelore në Prizren, siç merr vesh Insajderi, ka nisur hetimet kundër kompanisë “Matkos”. Prokuroria në Prishtinë, po ashtu ka ngritur një aktakuzë që përfshinë këtë kompani. Ka pasur arrestime e më shumë se një herë kompania në fjalë është denoncuar për falsifikim dokumentesh. Insajderi sjell detajet.
Në telashe me ligjin nën dyshimin për falsifikim dokumentesh, ku nuk është përjashtuar as arrestimi i një zyrtari të saj të lartë, kompania farmaceutike “Matkos” edhe një herë po këqyret nga Prokuroria.
Prokuroria Themelore në Prizren, pas një denoncimi, ka konfirmuar se ka nisur grumbullimin e informacioneve e provave kundër kësaj kompanie.
“Prokuroria Themelore në Prizren – Departamenti i Krimeve të Rënda, ju njofton se, rasti është në fazën e grumbullimit të informacioneve dhe provave. Po ashtu, prokurori ka urdhëruar kryerjen e ekspertizave të nevojshme lidhur me këtë çështje penale“, thuhet në përgjigjen që denoncuesi ka marrë nga Prokuroria në Prizren në fillim të muajit shkurt të këtij viti.
“Aktualisht, rasti është në fazën e hetimeve. Për çdo eventualitet, do të njoftoheni me kohë”, thuhet tutje në këtë përgjigje.
Kërkesa për këto hetime ishte bërë në maj të vitit 2021 për tenderin “Furnizim me pajisje stomatologjike për nevojat e departamentit të stomatologjisë” në Komunën e Prizrenit. Tek në këtë vit është marrë konfirmimi për nisjen e hetimeve.
Gazeta Insajderi ka raportuar po ashtu se Shërbimi Spitalor i Kosovës (ShSKUK) ka kërkuar që kjo kompani të futet në Listën e Zezë të Organit Shqyrtues të Prokurimeve (OShP), me çka do t’i pamundësonte që për disa muaj të merrte pjesë nëpër tenderë. Megjithatë ky mekanizëm ka vendosur kundër kërkesës së ShSKUK-së.
AVONET sërish denoncon “Matkos”-in, ia përmend një seri rastesh të dyshimta falsifikimi
Rrjeti i organizatave ‘AVONET” në shkurt të këtij viti ka reaguar sërish për kompaninë farmaceutike “Matkos”, hisedarë nëpër tenderë publik në fushën e shëndetësisë.
AVONET denoncon publikisht se për këtë kompani ka identifikuar “dokumente të falsifikuara të kompanisë recidiviste në shtatë (7) dosje tenderësh”
“Matkos Pharm” Shpk, nr Unik: 811159624, për vitin 2021 kishte ofertuar aktivitete të prokurimit në Ministri të Shëndetësisë, SHSKUK, Komunën e Prizrenit, Drenasit dhe Suharekës dhe një në vitin 2022 në Komunën e Prishtinës, ku AVONET gjatë hulumtimit të ofertave në dosjen e tenderit të OE “Matkos Pharm” Shpk kishte identifikuar dokumente të dyshuara si të falsifikuara tek REFERENCA, QARKULLIMET FINANCIARE (fatura fiktive), CERTIFICATË, ISO 13485:2012”, thuhet në një deklaratë për media të kësaj organizate.
Organizata në fjalë vlerëson “se veprimet e tilla sipas Ligjit të Prokurimit Publik janë veprime të kundërligjshme dhe sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës veprimet e tilla janë të dënueshme dhe janë të parapara si vepra penale”.
Këto janë aktivitetet e prokurimit që janë hulumtuar nga AVONET dhe organizata pretendon se janë identifikuar dokumentet të dyshuara për falsifikim:
1.“Furnizim me material stomatologjik për nevojat e departamentit të stomatologjisë”, me nr të prokurimit:622-21-1045-1-2-1 (KONTRATË E NËNSHKRUAR) dhe
2.“Furnizim me pajisje stomatologjike për nevojat e departamentit të stomatologjisë”, me nr të prokurimit:622-21-2378-1-2-1 ( NË PROCESIN E VLERËSIMIT); në Komunen e Prizrenit;
3. “FURNIZIM ME BARNA DHE MATERIAL SHPENZUES MJEKSOR” me nr të prokurimit: 611-21-1902-1-2-1 në Komunën e Drenasit;
4.”Furnizim me material medicinal nga lista esenciale” dhe numër të prokurimit: 00220-20-7558-111, në aktivitetin e prokurimit në SHSKUK;
5.“Furnizim me material laboratorik për testimin për SARS COV-2” dhe numër të prokurimit: 206-20-7645-111, në aktivitetin e prokurimit në Ministrinë e Shëndetësisë;
6.“Furnizim me barna” dhe numër të prokurimit: 624-21-781-121, në Komunën e Suharekës;
7.”Furnizim me paisje mjekësore” me nr të prokurimit:616-22-5522-1-2-1, dyshimi i falsifikimit të dokumentit të CERTIFICATE, ISO 13485:2012 në aktivitetin e prokurimit në Komunën e Prishtinës.
“Pas të gjitha këtyre të gjeturave nga hulumtimet e ndryshme, AVONET-it ka bërë kërkesë për inicim të hetimeve në Prokurorinë e Shtetit”. thuhet në deklaratën e AVONET.
Kjo organizatë bënë me dije se Prokuroria Themelore e Prishtinës “ka ngritur një aktakuzë për rastin e aktivitetit të prokurimit në Komunën e Drenasit poashtu Prokuroria Themelore e Prizrenit është duke hetuar rastet (tri) që janë nën përgjegjësin e tyre”.
Denoncime e arrestime për falsifikim kundër “Matkos”-it
Në vitin 2021, Liman Buzuku, Drejtor në “Matkos Pharm” ishte arrestuar nga Krimet Ekonomike të Policisë nën dyshimin se kishte falsifikuar dokumente. Ai u kap pasi që dyshohej se me dokument të falsifikuar kishte aplikuar për një tender në komunën e Drenasit, më 5 maj, 2021.
Raportimet e asaj kohe bënin me dije se ai mund të mos ketë qenë rasti i parë i falsifikimet me dokumente në tenderë nëpër komuna.
Liman Buzuku, dyshohej se kishte falsifikuar referencën për kompaninë, “Matkos Pharm SH.P.K” të lëshuar kinse nga Qendra Kryesore e Mjekësisë Familjare në Suharekë, për një kontratë në vlerë 56 mijë euro.
Buzuku kishte nënshkruar edhe deklaratën nën betim përmes së cilës “dëshmonte” se është i gatshëm të marrë përsipër “se e pranon mundësinë e sanksioneve penale dhe civile, gjobave dhe dënimeve”.
Dokumenti që dyshohet se është falsifikuar nga “Matkospharm” e se gjoja së është lëshuar nga QKMF Suharekë mbanë datën 19 gusht 2020.
Por, disa muaj pas Qendra Kryesore e Mjekësisë Familjare në Suharekë, e kishte konfirmuar se dokumenti i paraqitur nga Buzuku nuk ishte protokolluar nga Zyra Juridike e këtij institucioni.
I njëjti dokument që ishte dorëzuar nga “Matkos Pharm” në tenderin e Komunës së Drenasit nuk mban as stemën dhe nuk figuron si dokument zyrtar i lëshuar nga QKMF – Suharekë