Trajneri Faruk Statovci, është sulmuar fizikisht nga persona të maskuar.
Ngjarja ka ndodhur mbrëmjen e së dielës derisa ai ishte duke shkuar në banesën e tij në lagjen “Bregu i Diellit”, pas një emisioni në Kanal 10 ku ai ishte mysafir.
Kjo u konfirmua nga vetë Statovci, teksa theksoi se nuk ka të keqe me askënd.
“Po, mbrëmë derisa isha duke shkuar në banesë jam sulmuar nga dy persona të maskuar. Nuk i di motivet e këtij sulmi, por një gjë mund të them se asgjë të keqe nuk kam me askënd. Unë i kam dyshimet e mia, por nuk mund të komentojë më shumë”, tha Statovci.
“Me rastin janë duke u marrë njerëzit kompetentë nga prokuroria”, tha ai.
Lidhur me rastin është deklaruar zëdhënësja e policisë për rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti.
Ahmeti tha për Klankosova.tv se Statovci ka pësuar lëndime të rënda trupore dhe është dërguar për trajtim mjekësor.
“Policia ka nisur një hetim lidhur me rrethanat e këtij rasti dhe është duke punuar në identifikimin dhe arrestimin e personave të dyshuar”, tha Ahmeti