Të shtunën pasdite parashikohet të bien temperaturat, ndërsa priten reshje bore dhe erëra.
Besim Aliu nga Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës (IHMK) në një prononcim për Telegrafin bëri të ditur se erëra mund të ketë kryesisht në Istog, Klinë e Pejë.
“Reshjet do të jenë të intensitetit të ndryshueshëm, jo në gjithë territorin. Do të ketë reshje shiu, pastaj do të ketë ulje të temperaturave të cilat më pas do të përcillen me reshje bore… Konkretisht erërat jo edhe aq të forta do të jenë në Istog dhe Klinë, Pejë. Erërat do të jenë mbi 10 m/s”, ka thënë Aliu.
Vranësirat gjatë ditës së shtunë parashihen të shoqërohen me reshje shiu dhe bore.
Ndërkaq, të dielën do të ketë mot me diell dhe vranësira, ndërsa gjatë natës parashihen të ketë reshje bore. Temperaturat do të shënojnë ulje në të dy vlerat ekstreme.