Një skandal ka ndodhur në Shërbimin Spitalor Klinik dhe Universitar të Kosovës, ku konkursi i datës 10 dhjetor 2022 për pozitën Teknik Rentgeni -Baçelor për katër pozita në QKUK u anulua, pasi që testi kishte rënë në duart e kandidatëve, një ditë para mbajtjes së tij.
Ndonëse edhe ish u.d. drejtoresha e SHSKUK-së, Pranvera Zejnullahu-Raçi, që dha dorëheqje këto ditë, e kishte ditur për rrjedhjen e testit, ajo nuk e kishte anuluar atë konkurs, shkruan Demokracia.com.
Testi dyshohet se u ishte shpërndarë disa kandidatëve nga anëtarët e komisionit të themeluar nga Zejnullahu-Raçi.
Megjithatë, për këtë rrjedhje të testit, ende nuk është iniciuar asnjë hetim apo masë disiplinore.
Konkursi është anuluar nga u.d. drejtoresha e re, Narqize Arënliu-Hoxhaj, pas ankesave dhe dëshmive që kishin arritur të grumbullojnë kandidatët e eliminuar, se testi më shkrim kishte rrjedhur vetëm një ditë para mbajtjes.
Dëshmitë e ofruara në Komisionin e Ankesave kishin faktuar se testi me shkrim kishte qenë i qasshëm më datë 07.12.2022, një ditë para mbajtjes, me datë 08.12.2022.
Pesë kandidatë të cilit ishin diskualifikuar kishin arritur të grumbullonin fakte se testi me shkrim kishte rrjedhur dhe të njëjtat i kishin dorëzuar në Komisionin e Ankesave. Pas shqyrtimit të ankesave komisioni i kishte miratuar pjesërisht ankesat dhe me datë 31.01.2023 SHSKUK mori vendim për anulimin e pjesshëm të këtij konkursi.
Demokracia.com ka arritur që të sigurojë vendimin për anulimin e pjesshëm të konkursit për katër pozita në QKUK.
Demokracia.com ka dërguar pyetje edhe në ShSKUK për të kuptuar nëse është iniciuar rast për këtë apo janë marrë masa ndaj anëtarëve të komisionit.
Megjithatë, deri në publikimin e këtij teksti, ky institucion nuk ka kthyer përgjigje.