Agon Maliqi, pjesëmarrës nga shoqëria civile në takimin konsultativ të ambasadës së SHBA-së në Prishtinë më 31 janar për çështjen e Asociacionit, ka prezantuar përpara pjesëmarrësve katër parime për themelimin e bashkësisë së komunave me shumicë serbe, të cilat kryeqendrën e kanë Kushtetutën e Kosovës dhe pjesëmarrëse të domosdoshme Qeverinë e vendit.
Maliqi këto parime i ka publikuar në ‘Facebook’, derisa ka lënë të hapur rrugën e parimit të pestë në rast se Asociacioni kombinohet me Pakon e Ahtisaar-it, shkruan Demokracia.com.
“Ekziston një përshtypje në Kosovë se Asociacioni do të bëhet një Republika Srpska. Ajo që rrezikon ta prodhojë një Republika Srpska në Kosovë nuk janë fuqitë e Asociacionit si të tilla, sa është kombinimi i tyre me të drejtat që burojnë nga Pakoja e Ahtisaarit. Ky i fundit u ofroi serbëve të Kosovës të drejtë të vetos mbi shumicën e popullisisë dhe njëkohësisht nivel të lartë të decentralizimit komunal. Nëse kësaj i shtohet edhe një nivel i ri i qeverisjes, kjo do të thoshte se pakica serbe në Kosovë edhe do të jetonte krejtësisht e pavarur, edhe do të kishte fuqi vetoje mbi shumicën! Ky nuk është vetëm një dizajn racist i shtetit, por do ta prodhonte një shtet jofunksional, do t’i bënte marrëdhëniet ndëretnike edhe më toksike, si dhe do ta destabilizonte paqen në rajon edhe më shumë”, deklarohet Maliqi.
Parimi i parë, sipas Maliqit, kërkon largimin e kompetencave ekzekutive të bashkësisë së komunave me shumicë serbe.
“Parimi i parë është se ky nuk mund të jetë një nivel i ri i pushtetit ekzekutiv, por vetëm lehtësues dhe mbështetës i funksioneve ekzistuese komunale dhe qëndrore. Shërbimet të cilat sot për sot funksionojnë në mënyrë joformale si shëndetësia dhe arsimi do të duhej të integroheshin në kornizat ekzistuese komunale dhe qëndrore. Shërbimet e tjera si përfitimet sociale apo pensionet, Serbia do të ishte e lirë t’ua jepte qytetarëve të vet duke qenë se serbët kanë dyshtetësi. Asociacioni mund të ketë liri t’i zbatojë aktivitetet e saja në sektorët “e butë” si kultura apo puna humanitare, por nuk duhet të ketë kurrëfarë fuqish mbi sektorët “e rëndë” si siguria”, njofton Maliqi.
Njëri nga parimet kërkon që Asociacioni të mos jetë i përqëndruar në veri por të shtrihet në mbarë territorin e Republikës së Kosovës. Kësisoj të lejohet nivel i njëjtë i bashkëpunimit komunal i shqiptarëve të Luginës me institucionet e Kosovës.
Njoftimi i plotë:
Dje isha në mesin e të ftuarve nga shoqëria civile në takimin e organizuar nga Ambasada e SHBA në Prishtinë mbi Asociacionin. Ndërkohë që rregullat e takimit (Chatham House) nuk lejojnë që të publikohen qëndimet të cilat aty i kanë mbajtur të tjerët, ky rregull nuk më pengon që ta ndaj me ju qëndimin të cilin e kam mbajtur vetë, të cilin për shkak të seriozitetit të çështjes dhe dëshirës për t’u kuptuar saktë, e lexova në formën e një fjalimi të parapërgatitur. Po e bëj këtë për hir të transparencës, nevojës për t’i luftuar paragjykimet dhe spekulimet konspirative mbi atë se çfarë roli ka shoqëria civile në këto çështje, por edhe nevojës për të pasur debat përmbajtësor rreth kësaj teme e cila zakonisht nis e përfundon me banalizime politike dhe sulme personale. Ndoshta përfaqësuesit politikë e kanë më të vështirë që të jenë të lirë për t’u shprehur për këtë temë, meqë kanë përgjegjësi të një natyre tjetër. Por ne që nuk jemi pjesë politikës nuk kemi pse të mos flasim lirshëm, sidomos kur qëndrimet e mbajtura aty janë të njëjta me ato që mbahen në publik.
P.S. Në fillim të fjalimit e kisha edhe një pjesë ku e theksoja papranueshmërinë e çfarëdo ideje që për këtë çështje të anashkalohet qeveria, e cila është e vetmja që ka mandat të flasë dhe vendos në emër të Kosovës. Por pas ardhjes në takim të shumë zyrtarëve qeveritarë, këtë pjesë nuk e pash të arsyeshme ta them.
31 Janar 2023 – Prishtinë
Të nderuar pjesëmarrës,
Perspektiva ime mbi këtë çështje vjen nga ajo pjesë e shoqërisë civile e cila punon në fushën e të drejtave demokratike, që dëshiron të shohë paqe dhe bashkëpunim në rajon, si dhe ta shohë perspektivën Euro-Atlantike të Kosovës të zhbllokuar.
Çdo diskutim mbi Asociacionin duhet ta ketë si pikënisje një kuptim të përbashkët të dy të vërtetave:
1 – Së pari, Asociacioni është një detyrim ligjor ndërkombëtar dhe vendor të cilin Kosova duhet ta fillojë ta përmbushë. Por është gjithashtu e rëndësishme të theksohet se ky është një detyrim të cilin Kosova e ka ndërmarrë në kushtet e disa supozimeve dhe garancive politike nga ana e partnerëve të Kosovës se pozita ndërkombëtare e Kosovës do të zhblokohet. Prandaj këto dy detyrime (njëri i Kosovës, tjetri i aleatëve) janë të ndërvarura, nuk mund të ndahen prej njëri-tjetrit dhe do ta zhbllokonin njëri-tjetrin.
- Së dyti, çdo gjë të cilën Kosova e ka nënshkruar deri më sot nuk e detyron atë që të bëjë asgjë që bie ndesh me Kushtetutën e saj – ashtu siç është përcaktuar në marrëveshjen e vitit 2015 dhe siç është vërtetuar edhe me vendimin e Gjykatës Kushtetuëse.
Nëse në mes të Kosovës dhe partnerëve ka pajtueshmëri të dyanshme mbi këto dy të vërteta – dhe ky duket të jetë rasti – atëherë Kosova gjithsesi nuk duhet të ketë frikë që ta nis procesin e themelimit të Asociacionit dhe t’i zhbëjë disa prej miteve politike të ndërlidhura me të.
Asociaconi do të duhej të ishte i pranueshëm nëse i përmbush katër parime.
- Parimi i parë është se ky nuk mund të jetë një nivel i ri i pushtetit ekzekutiv, por vetëm lehtësues dhe mbështetës i funksioneve ekzistuese komunale dhe qëndrore. Shërbimet të cilat sot për sot funksionojnë në mënyrë joformale si shëndetësia dhe arsimi do të duhej të integroheshin në kornizat ekzistuese komunale dhe qëndrore. Shërbimet e tjera si përfitimet sociale apo pensionet, Serbia do të ishte e lirë t’ua jepte qytetarëve të vet duke qenë se serbët kanë dyshtetësi. Asociacioni mund të ketë liri t’i zbatojë aktivitetet e saja në sektorët “e butë” si kultura apo puna humanitare, por nuk duhet të ketë kurrëfarë fuqish mbi sektorët “e rëndë” si siguria.
- Parimi i dytë është se Asociacioni duhet t’i reflektojë premisat shumëetnike dhe unitare të shtetit që ekzistojnë në nivel qëndror. Statuti i Asociacionit duhet t’i zbatojë të njëjtat rregulla që ekzistojnë në nivelin qëndror në Kushtetutë për mbrojtjen e komuniteteve joshumicë. Për shembull, strukturat e Asociacionit (përfshi ato vendimarrëse) duhet të kenë përfaqësim të garantuar për komunitetet joshumicë nga këto komuna, ndërsa në vendimarrjen mbi çështjet e interest vital do të duhej të kishte nevojë për shumicë të dyfishtë (2/3) të komuniteteve joshumicë që jetojnë në këto komuna.
- Parimi i tretë është se Asociacioni nuk duhet të jetë teritorialisht i koncentruar në veri por duhet të jetë i shtrirë në gjithë Kosovën. Kjo do të prodhonte balancë thelbësore mes qeverisjes lokale dhe natyrës unitare të shtetit, ndërkohë që do t’i shërbente para së gjithash interesave të të gjithë serbëve të Kosovës dhe jo Beogradit.
- Parimi i katërt është se qëndrueshmëria e Asociacionit varet nga fryma e marrëdhënieve të mira fqinjësore. Për këtë arsye, duhet të lejohet një nivel i njëjtë i bashkëpunimit komunal dhe i lehtësimit të shërbiemeve mes Kosovës dhe komunitetit shqiptar në Luginën e Preshevës, veçanërisht në fusha si arsimi, kultura dhe ekonomia.
Nëse këto parime nuk përmbushen – pra, nëse Asociacioni parashihet si nivel i ri i qeverisjes, siç po kërkojnë disa nga Lista Serbe; nëse ai nuk i reflekton parimet e njëjta multietnike si ato të Kushtetutës; nëse ai është i koncentruar në veri; nëse nuk ka respekt të ndërsjelltë për të drejtat e pakicave në rajon, atëherë ne do të përballemi me një situatë ku do të krijohet nevoja për një parim të pestë.
Ekziston një përshtypje në Kosovë se Asociacioni do të bëhet një Republika Srpska. Ajo që rrezikon ta prodhojë një Republika Srpska në Kosovë nuk janë fuqitë e Asociacionit si të tilla, sa është kombinimi i tyre me të drejtat që burojnë nga Pakoja e Ahtisaarit. Ky i fundit u ofroi serbëve të Kosovës të drejtë të vetos mbi shumicën e popullisisë dhe njëkohësisht nivel të lartë të decentralizimit komunal. Nëse kësaj i shtohet edhe një nivel i ri i qeverisjes, kjo do të thoshte se pakica serbe në Kosovë edhe do të jetonte krejtësisht e pavarur, edhe do të kishte fuqi vetoje mbi shumicën! Ky nuk është vetëm një dizajn racist i shtetit, por do ta prodhonte një shtet jofunksional, do t’i bënte marrëdhëniet ndëretnike edhe më toksike, si dhe do ta destabilizonte paqen në rajon edhe më shumë.
Çfarëdo lloj kërkese drejtuar Kosovës për ta tejkaluar Kushtetutën dhe parimet e përmendura këtu, do të nënkuptonte pranim nga ana e bashkësisë ndërkombëtare se modeli Ahtisarian i zgjidhjes së të drejtave të pakicave ka dështuar.
Gjë që më sjell të parimi i pestë. Nëse serbët e Kosovës kërkojnë model të segregimit etnik dhe vetëqeverisjes, atëherë kjo ia jep Kosovës të drejtën për të kërkuar ndryshime në të drejtat që i kanë komunitetet jo-shumicë në nivelin qëndror – gjegjësisht, heqjen e fuqisë së vetos së pakicave, përfaqësimit të garantuar në nivelin qëndror, por edhe natyrën e përgjithshme multietnike të shtetit (simbolet, dygjuhësinë, etj.) Kjo rrugë na çon drejt një mënyrë krejt tjetër të zgjidhjes së të drejtave të pakicave dhe një modeli të ri të shtetit, me gjithë implikimet e tjera që i sjell kjo. Prandaj, ndoshta është një rrugë që më mirë duhet shmangur.