Sindikata e Zjarrfikësve të Kosovës është shprehur e zhgënjyer me vlerën e koeficientit të cilën sot Qeveria e Kosovës e ka vendosur.
Kryetari i kësaj sindikate, Muharrem Beka, ka thënë se kjo vlerë e koeficienti nuk i përmbush kërkesat e tyre në këtë kohë të inflacionit.
“Kjo vlerë e koeficientit i ka zhgënjyer të gjithë të punësuarit, askush nuk e ka pritur këtë vlerë kaq të ulët duke pas parasysh se jemi në një krizë ku kemi inflacion dyshifror dhe kostoja e jetesës është mjaftë e vështirësuar. Pra është e vështirë të ia dalësh në fund të muajit me këtë pagë”, ka thënë ai për KP.
Ai ka bërë me dije se zjarrfikësit gjatë gjithë kohës kanë qenë të diskriminuar.
“Dhe për herë të parë që institucionet e vendit kanë bërë diçka, ka qenë kur jemi nivelizuar me shërbimet tjera emergjente ose me kategoritë tjera me ligjin e pagave në vitin 2018, që pati shkuar në Kushtetuese. Në atë kohë ishte e pranueshme për ne, ishte vlera 2.2×238, ka dalë rreth 525, sa është tash, mirëpo, në këtë kohë marrë parasysh inflacionin, është mjaftë zhgënjyese”, është shprehur Beka.
Vlerën e koeficientit e ka kundërshtuar edhe opozita dhe disa sindikata.