Lidhja Demokratike e Kosovës ka reaguar përmes një komunikate për medie për zgjedhjen e drejtorit të Radio Televizionit të Kosovës.
Kjo parti tha në komunikatë se përzgjedhja e një aktivisti politik në krye të RTK, përbën kapje të institucionit publik.
“Lidhja Demokratike e Kosovës ka përcjellur me vëmendje procesin e përzgjedhjes së Drejtorit të kanalit në gjuhën shqipe të transmetuesit publik, Radio Televizionit të Kosovës; në veçanti pas shqetësimeve të ngritura për politizim të përzgjedhjes nga organizata vendore e ndërkombëtare që nga shpallja e konkursit. Përzgjedhja e një aktivisti politik në krye të kanaleve shqip në RTK, përveç se përbën një kapje të plotë të këtij institucioni publik, shpërfaq qartazi dhe tendencën e pushtetit për të institucionalizuar propagandën partiake në kanale publike të informimit”, thuhej në njoftim.
Gjithashtu LDK theksoi rolin që duhet ta ketë televizioni publik.
“Informimi i pavarur publik, nga një institucion i financuar nga fondet publike, përbën bazën e një demokracie të shëndoshë dhe të qëndrueshme. RTK-ja, duhet të ketë rol thelbësor në informimin e pavarur dhe të drejtë të të gjithë qytetarëve të Kosovës; dhe ky rol ushtrohet kur pushtetet nuk përcaktojnë politikat editoriale të kanaleve informuese e nuk vendosin aktivistët e tyre partiak në krye të këtyre institucioneve. Qytetarët e Kosovës meritojnë një televizion publik të pavarur. Kapja politike e tij është veçse vazhdimësi e politikave të këqija që kanë karakterizuar këtë institucion publik, thuhej tutje.
Ata kërkuan që të anulohet menjëherë kjo përzgjedhje.
“Prandaj, Lidhja Demokratike e Kosovës kërkon anulimin e menjëhershëm të përzgjedhjes në fjalë dhe do të ngrisë temën e kapjes së institucionit të televizionit publik, në Komisionin përkatës parlamentar në Kuvendin e Republikës së Kosovës” thuhej në fund të njoftimit.