Nga gabimet e Qeverisë Kurti, Asociacioni sot po trajtohet në mënyrë të veçantë. Deklaroi kështu deputetja nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Time Kadrijaj në Tëvë1.
Duke folur për diskutimin e sotëm për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe në hapësirat e Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Kadrijaj tha se duhet të punohet më seriozisht në këtë drejtim, derisa shtoi se nuk duhet lejuar që të shkelet Kushtetuta e Republikës së Kosovës.
“Ajo çka ndodhi sot dhe sipas prononcimeve, thuhet se ka qenë si një sesion dëgjimor. Unë mendoj që duhet të punojmë seriozisht në këtë drejtim. Mirëpo, e mira e kësaj, është që Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë thënë që nuk preket Kushtetuta e Republikës së Kosovës. Pra, nuk duhet lejuar të shkelet Kushtetuta e Republikës së Kosovës. Me gabimet që ka bërë Qeveria Kurti, me keq menaxhimin e situatave dhe me nxitjen e konflikteve, është produkt i kësaj qeverie që sot Asociacioni po trajtohet në mënyrë të veçantë. Po ashtu, edhe që është bërë kryetemë e faktorëve ndërkombëtarë, amerikanëve dhe Brukselit zyrtar.”, tha Kadrijaj.
E pyetur pse është kaq urgjente themelimi i Asociacionit, Kadrijaj tha se AAK nuk është e kyçur direkt në këtë temë, pasi siç tha ajo, kjo është çështje e Qeverisë Kurti.
“Ne nuk jemi të kyçur direkt në këtë çështje, sepse kjo është çështje e Qeverisë. Prandaj, Qeveria duhet të negociojë, duhet të ulet ne tryezë e të debatojë edhe me faktorin ndërkombëtar dhe me ShBA-të, sepse në fund të fundit Qeveria duhet ta zbatojë këtë marrëveshje”, potencoi Kadrijaj.
Derisa bëri të ditur deri më tani, AAK nuk është mbledhur ende për të diskutuar rreth kësaj çështje, por Kadrijaj vlerësoi se në ditët e ardhshme do ta diskutojnë si subjekt politik.
Ndërkaq, sa i përket tensionimeve të fundit në veri të vendit, Kadrijaj konsideroi që fajtore është Qeveria Kurti, pasi siç tha ajo, më herët asociacioni nuk është diskutuar në mënyrë të veçantë.
“Është dashur të diskutohet vetëm për marrëveshjen finale me Serbinë, për planin franko-gjerman. Pra krejt fokusi i Qeverisë dhe i partive opozitare do duhej të ishte te këto dyja”, u shpreh tutje Kadrijaj.