Trajneri i mirënjohur, Arbnor Morina është emëruar përgjedhës i ri i Kombëtares së Kosovës U17, teksa sot së bashku me presidentin Agim Ademi i kanë vendosur nënshkrimet në kontratë. Presidenti Ademi e ka uruar Morinën në pozitën e re, duke i dëshiruar suksese në ciklin e ardhshëm kualifikues.
Ai shpreson se përvoja dhe njohurit e Morinës për futbollin do të kenë rol të rëndësishëm në krijimin e një ekipi sa më kompakt në këtë grupmoshë dhe do të jenë çelës i suksesit. Ndërkaq, Morina falënderoi kreun e FFK-së për besimin e dhënë dhe u shpreh i gatshëm për të dhënë maksimumin e tij që Kombëtarja U17 të ketë rezultate kulmore.
“Puna e trajnerit është punë e cila nuk ka pushim dhe nuk ka kufij. Jam i lumtur që jam kthyer aty ku kam qenë prej vitit 2000 deri në vitin 2005. Së bashku me stafin tim do të mundohemi të bëjmë më të mirën që duhet bërë për Kombëtaren U17. Jam i lumtur që po e pasoj Arsim Abazin, i cili është trajner i mirënjohur dhe miku im i vjetër. Do të punojmë shumë në atë drejtim që djemtë tanë t’i bindim që duhet të arrijnë rezultate kulminante, ngase i mbrojnë ngjyrat e Kombëtares së Kosovës”, ka theksuar Morina.
Kombëtarja e Kosovës U17 në kualifikimet për Euro 2023 është përfshirë në Grupin e 9-të, ku bëjnë pjesë edhe Anglia, Kroacia dhe Ishujt Faroe. Ndeshjet e këtij grupi do të zhvillohen në Kroaci, më 3, 6 e 9 nëntor.