Publicisti Adriatik Kelmendi, ka theksuar se zotimi i Kosovës për ta krijuar Asociacionin, nuk është kundër Kushtetutës.
Në një kolumne të publikuar në portalin e Klan Kosovës, Kelmendi ka vënë thekset te opinioni i Derek Chollet e Gabriel Escobar lidhur me Asociacionin.
“Ne e kundërshtojmë rreptësisht krijimin e çfarëdo etniteti që i përngjan Republikës serbe në Bosnjë dhe Hercegovinë (BH); Bashkësia ndërkombëtare nuk po kërkon të imponojë një zgjidhje. Në vend të kësaj, ne po kërkojmë nga Kosova që ta ofrojë vizionin e saj për këtë Asociacion dhe jemi të gatshëm të ofrojmë ekspertizë dhe mbështetje politike për të siguruar që ajo funksionon në interesin më të mirë të kosovarëve”, ka shkruar Kelmendi.
“Çka nuk do të ishte Asociacioni? Nuk do t’ia shtonte Qeverisë së Kosovës një shtresë të re të pushtetit ekzekutiv dhe legjislativ. Ky parim i rëndësishëm daton që nga propozimi i Ahtisaarit. Komunat bashkëpunojnë në bashkëmenaxhimin e juridiksioneve brenda institucioneve dhe strukturave legjitime kosovare”, thuhet më tutje.
Kelmendi ka theksuar se Kosova nuk ka partner më të rëndësishëm se Shtetet e Bashkuara të Amerikës, andaj sipas tij, duhet të kemi besim.
“Vështirë se mund të parashihet se ndonjëherë në të ardhmen e afërt do të ketë një president amerikan më proshqiptar se sa Joe Biden. Që në të njëjtën kohë do të mund të interpretohet – vështirë që në një të ardhme mund të presim që të ketë një president amerikan që do të kujdeset e investohet më shumë se Biden që Kosova dhe shqiptarët të jenë mirë”, ka shkruar ai.
“Si mikja dhe aleatja më e afërt e Kosovës, ne besojmë se duke punuar për themelimin e Asociacionit, Kosova do të përmbushë një element kritik të nevojshëm për ndërtimin e të ardhmes së saj të drejtë si shtet sovran, shumetnik dhe i pavarur, i integruar në strukturat euroatlantike. Jemi të gatshëm që ta mbështesim Kosovën për ta përmbushur këtë zotim dhe do të qëndrojmë krah vendit tuaj në çdo hap”, ka shkruar Kelmendi.