Zëdhënësi i Vetëvendosje, Arlind Manxhuka po thotë se raportimet për skandalin e Martin Berishajt e kanë prejardhjen nga presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiqi.
Ai ka renditur disa pika në të cilat askund nuk thuhet se ambasadorit Berishaj nuk ka qenë i përfshirë në skandalin financiar.
Si zakonisht, Manxhuka ka sulmuar edhe mediat që kanë publikuar skandalin e Martin Berishajt që ka tronditur diplomacinë kosovare.
Shkrimi i tij:
E kishim të qartë në fillim, por në ecje e sipër dolën dhe gjëra të reja dhe mjaftë të rëndësishme në hulumtimin e medias prestigjioze sllovene ‘Necenzurirano’:
1. Pra, kishte një pakt Jansha-Vuciq: Zyret për luftimin e pastrimit të parasë në vendet respektive përmes ndikimit politik të nisnin kontrolle të pabaza me qëllim shkatërrimin e kundërshtarëve politik.
Lidhja e shkurtër në këtë luftë ishte kompania sllovene GEN-I, edhe për shkak të përfaqësisë që ajo ka në Serbi.
Pakti ishte: Në Slloveni hetojmë për ‘armikun’ e Vuçiqit e në Serbi hetojmë ‘armikun’ e Janshës.
a) Në Slloveni ku duhej ndjekur kundërshtari i Vuciqit dështoi përpjekja për shkak të stabilitetit dhe integritetit që kanë institucionet.
b) Në Serbi si vend autokratik kjo gjë nuk është se kishte vështirësi.
2. Për shkak se në Slloveni dështoi përpjekja e në Serbi jo, atëherë të gjitha informacionet që fliten e përfliten në Kosovë veçanërisht e që këtu e kanë lidhur me ambsadorin Berishaj prejardhjen e kanë nga Serbia, pra burojnë nga institucionet atje. Direktivat janë si më lartë.
3. Meqenëse pakti ishte mes Janshës dhe Vuçiqit këtu luftohej Golobi në Slloveni dhe Gjilasi në Serbi. Tek Golob përmendej edhe Martin Berishaj.
4. Në Slloveni institucionet e intelegjencias financiare as që ishin marrë me këtë gjë, madje edhe kur vet Jansha ishte në pushtet, në Mal të Zi ka edhe lajme që hetimet janë pezulluar në mungesë të lëndës dhe fakteve për përndjekje.
5. Ku mbeti beteja dhe nga kush shtyhej?
Beteja me lajme nga Serbia që vinin direkt si rezultat i paktit Jansha-Vuciq kishin adresë presidentin e Serbisë.
6. Opozita e Kosovës dhe qarqe të caktuara mediatike të cilave nuk ka nevojë t’u përmendet emri sepse dihen publikisht qartësisht janë bërë pjesë e kësaj skeme duke u vënë në shërbim të plotë të lajmeve nga Serbia dhe lufta direkte e Vuçiqit, madje fatkeqësisht ai më shumë vullnet gjeti në portalet e opozitën e Kosovës sesa në Serbi, për Slloveni mos të flasim sepse kjo çështje është veçse inekzistente.